UBT hap zyrtarisht regjistrimet për festivalin akademik të dijes “Global UBT Fest 2021”

14/06/2021

Festivali më i madh akademik i dijes në Evropë, “Global UBT Fest 2021” po vjen edhe këtë verë, me shumë aktivitete të larmishme, me qëllim ngritjen e dijes, inovacionit dhe zhvillimit.

 

Zyrtarisht, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, ka bërë hapjen e regjistrimeve për këtë ngjarje madhore akademike, që do të mbledhë me vete më shumë se 30 shkolla ndërkombëtare verore, forume, simpoziume, samite, gara e aktivitete kulturore-artistike.

 

“Sot po bëjmë hapjen e thirrjeve për aplikim për “Global UBT Fest 2021”, i cili është festivali më i madh i dijes në Evropë, që përmban shumë aktivitete në fusha të ndryshme të jetës”, ka thënë fillimisht rektori Hajrizi.

 

Ai ka thënë se ky festival do të jetë i shtrirë në të gjitha qendrat e UBT-së, me një sërë aktivitetesh që do të kontribuojnë në zhvillimin e reziliencës, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

 

“Ky festival i cili kap përmasa globale, do të sjellë në Kosovë ekspertë, artistë, si dhe studentë vendor dhe ndërkombëtarë, duke e forcuar imazhin e Kosovës në aspektin global, teksa festivali do të mbahet në formë të kombinuar, duke synuar që më shumë të mbahet në formë fizike, varësisht prej situatës me pandeminë”, ka thënë rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi.

 

Festivali më i madh akademik i dijes “Global UBT Fest 2021” do të mbahet nga 1 korrik deri më 31 korrik, dhe do të jetë falas për të gjithë pjesëmarrësit e interesuar.

 

Apliko tani: Regjistrimet për “Global UBT Fest 2021”