UBT hap Akademitë Verore për Arkitekturë dhe Ndërtimtari – Edukimi praktik dhe kreativiteti në qendër të verës akademike

08/07/2025

Në kuadër të aktivitetit më të madh akademik dhe kulturor në vend, Global UBT Fest 2025, u bë hapja zyrtare e Akademive Verore të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në ambientet e Kampusit Inovativ të UBT-së në Lipjan.

Ceremonia u hap nga Dekani i Fakultetit të Arkitekturës, Prof. Dr. Binak Beqaj, dhe Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, Prof. Dr. Visar Krelani, të cilët theksuan rëndësinë që kanë këto akademi verore në përgatitjen profesionale të studentëve dhe në nxitjen e mendimit kritik, kreativ dhe bashkëkohor në fushat përkatëse.

Gjatë javës së parë të akademisë, studentët e arkitekturës dhe ndërtimit do të marrin pjesë në punëtori kreative, ligjërata nga profesionistë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe do të punojnë në grupe për zgjidhjen e sfidave reale urbane dhe inxhinierike.

Projektet e zhvilluara gjatë akademisë do të prezantohen në fund të edicionit para një paneli vlerësues, ndërsa pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata dhe do të kenë mundësi për të fituar praktika profesionale në kompani partnere të UBT-së.

Ky edicion i akademive verore përfaqëson përkushtimin e UBT-së për të ofruar arsim modern, të orientuar drejt praktikës, teknologjisë dhe kreativitetit, duke ndihmuar studentët të ndërtojnë një të ardhme të qëndrueshme në fushat e arkitekturës dhe inxhinierisë.