
UBT hap Akademinë Verore për Ekonomi, Financa, Banka dhe Sigurime
03/07/2025Fakulteti i Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT ka hapur zyrtarisht Akademinë Verore për Ekonomi, Financa, Banka dhe Sigurime, e cila po zhvillohet në kuadër të aktiviteteve edukative dhe shkencore që synojnë thellimin e njohurive të studentëve dhe profesionistëve mbi zhvillimet më të fundit në ekonominë moderne.
Hapjen zyrtare të akademisë e bëri Prof. Kestrim Avdimetaj, i cili theksoi se ky aktivitet do të shërbejë si një platformë për analizimin e faktorëve kryesorë të ekonomisë dhe rritjes ekonomike, qëndrueshmërisë financiare, ambientit të investimeve dhe inovacioneve në sektorët financiar dhe bankar. Ai nënvizoi rëndësinë që do t’i kushtohet temave aktuale si tregjet e kapitalit, bankat digjitale, kriptovalutat dhe sfidat që paraqiten në sektorin e sigurimeve, duke krijuar një bashkëbisedim ndërmjet akademisë dhe sektorit privat.
Në vijim të programit, të pranishmit patën mundësinë të ndjekin prezantimin e Prof. Zef Dedaj, Drejtor i Përgjithshëm i KIESA-s (Agjencia Kosovare për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve), i cili foli për ekosistemin e inovacionit dhe mundësitë e investimeve në Kosovë. Ai ndau të dhëna mbi mjedisin ekonomik dhe afarist të vendit, marrëveshjet ndërkombëtare të investimeve dhe tregtisë së lirë, si dhe sektorët më premtues industrialë. Një theks i veçantë iu kushtua përkrahjes për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe gjenerimit të vendeve të reja të punës.
Në pjesën e dytë të akademisë, Prof. Ermal Lubishtani solli një analizë të thelluar mbi rëndësinë e institucioneve në tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte (FDI). Ai theksoi se mungesa e FDI-ve vazhdon të jetë një nga pengesat kryesore për rritjen ekonomike të qëndrueshme në Kosovë, ndërsa vuri në dukje se cilësia e institucioneve – si atyre formale ashtu edhe joformale – është thelbësore për krijimin e një ambienti të besueshëm dhe tërheqës për investitorët ndërkombëtarë.
Akademia Verore do të vazhdojë me sesione të tjera interaktive dhe ligjërata nga profesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke krijuar një hapësirë për rrjetëzim, shkëmbim idesh dhe ndërtim të kompetencave profesionale për të rinjtë që synojnë karrierë në fushat e ekonomisë, financave, bankave dhe sigurimeve.