UBT dhe Republika Çeke për një ambient me shumë investitorë

01/11/2011

 

UBT dhe Republika Çeke për një ambient me shumë investitorë

 

 

“Sektori privat vlerësohet shumë nga investitorët e huaj si një sektor me një perspektivë të madhe në zhvillim dhe kjo është e rëndësishme. Natyrisht mendohet edhe aspekti ekonomik dhe stabiliteti politik janë ata që ndikojnë në ngritjen e zhvillimit në përgjithësi”, tha Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi , gjatë konferencës “KOSOVA – GO  International-  Ngritja e Kapaciteteve për Investimet e Huaja Direkte”

 

Prishtinë, 31 nëntor 2011- UBT, në Prishtinë, si pjesë finale të projektit për përmirësimin e klimës së ndërrmarrësisë dhe investimeve të huaja direkte  në Kosovë,  sot në hollin  e objektit të Hotelit Grand në Prishtinë,  organizoi konferencën  e radhës më saktwsishtw me temën “KOSOVA – GO  International-  Ngritja e Kapaciteteve për Investimet e Huaja Direkte”, në bashkëpunim me Czech INVENT  Technology Agency  nga Republika Çeke dhe  Kosova Association for Quality –Management , Certification and Confirmation- Quality Kosova.

 

Organizatorë dhe implementues të konferencës janë dy institucionet e cekura më lartë, si Quality Kosova – UBT dhe  Czech INVENT Technology Agency,   kurse është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë, SOROS- Zyra në Pragë dhe në Prishtinë dhe UBT. 

 

 

 

Presidenti i  UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi pasi përshëndeti punimet dhe të pranishmit e konferencës në fjalë tha se gjatë hulumtimeve të bëra është parë se investitorët e jashtëm sektorin privat e vlerësojnë si shumë të rëndësishëm për investime. Ai tha se duhet krijuar kushte për këto investime, sepse është një prej sektorëve që ndihmon në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik në vend. 

 

 

 

“Sektori privat vlerësohet shumë nga investitorët e huaj si një sektor me një perspektivë të madhe në zhvillim dhe kjo është e rëndësishme. Natyrisht mendohet edhe aspekti ekonomik dhe stabiliteti politik janë ata që ndikojnë në ngritjen e zhvillimit në përgjithësi”, ka thënë ai. 

 

 

 

Hajrizi ka shtuar më tej se e keqja është se investitorët e huaj nuk e dinë se ka ligj për investimet e huaja në Kosovë, dhe sipas tij, kjo tregon se ka mungesë të informacionit rreth legjislacionit aktual në Kosovë. 

 

 

 

 

Përfaqësuesi i kompanisë Çeke “Czech Invent”,  Robet Hejzak thotë se nuk janë vetëm pengesat administrative ato të cilat po pengojnë investitorët nga jashtë për bërjen e biznesit të tyre, por janë edhe konfliktet apo armiqësitë e institucioneve qendrore apo edhe të atyre lokale ndaj investimeve të huaja. 

 

 

 

“Në disa prej institucioneve, qofshin qendrore apo lokale ekziston një lloj armiqësie ndaj investimeve direkte nga jashtë. Thonë po i duam investimet direkte nga jashtë, por nuk duam që kompanitë tona të humbin punët e tyre, vendet e punës, biznesin, tregjet e punës, domethënë është një lloj armiqësie ndaj këtyre investimeve direkte”, ka thënë ai. 

 

 

 

Sipas tij, organet kompetente  duhet që përmes kornizës ligjore t’i sigurojë investimet nga jashtë dhe mandej t’i mbrojnë këto investime direkte. 

 

 

 

Më tej, ai shton se nëse korniza ligjore nuk është aq e mirë sa e vendeve në rajon për krijimin e lehtësira për investime direkte dhe bërjen e biznesit në Kosovë, atëherë investitorët nuk do të vijnë në Kosovë, por do të shkojnë në vendet tjera, të cilat i trajtojnë më mirë. 

 

Kryetari i Komunës së Shtimes njëheri edhe përfaqësuese  i Asociacionit të Komunave të Kosovës,  Naim Ismajli, tha ky institucion respekton vullnetin e të gjitha  komunave në këtë aspekt, dhe është angazhuar që në kuadër të misionit të vet  që komuna të jetë partnere që ti ngrisin përformancat e tyre me qëllim që të jetë në nivel të shërbimit sa më të mirë të qytetarëve. “E para është që përmes grupit të ekspertëve të kompletohen dhe të ndryshohet legjislacionin në fuqi,  më qëllim që komunat e Kosovës të jenë me atraktive për investimet e huaja , gjithmonë të vetëdijshëm që në këtë aspekt ka nevojë për kompletim dhe ndryshim te legjislacionit dhe përmirësim të proceduarve për investime “.

 

 

 

 

Po ashtu Presidenti i UBT-së, z. Hajrizi, citoi nga hulumtimi  të dhënat të mëtutjeshme  se  në Kosovë operojnë rreth 4 mijë ndërmarrje me investime të huaja, të cilat janë të regjistruara, ku rreth 56 për qind e këtyre investimeve apo ndërmarrjeve të huaja janë të përqendruara në Prishtinë, ndërsa përqindja tjetër është e shpërndarë nëpër komunat e tjera. 

 

 

 

Në Kosovë dominojnë investimet e ndërmarrjeve të vogla të cilat e kanë një numër të vogël të punëtorëve e që sillet prej 1 deri në 9 punëtorë, ndërsa më pas vijën ndërmarrjet të cilat kanë një numër më të madh të punëtorëve, e që në Kosovë janë vetëm 16 ndërmarrje me investime të huaja direkte, të cilat kanë deri nga 250 punëtorë.

 

 

 

 

Punimet e konferencës u ndjekën  nga disa  kryetarët e komunave të Kosovës, zyrtarët e lartë të Ministrisë së Financave,  Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Ministrisë së  Bujqësisë, Ministrisë së Diasporës,   përfaqësues  të Odës  Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomike Amerikane, si ajo etj, si dhe organizata  Bashkëpunimi  Ndërkombëtar Gjerman (GIZ),  përfaqësues të AMNVM, APIK, USAID , DFID, UNICEF, UNDP,  KFOS, etj.  AZHR – pesë zyrat rajonale, Banka Botërore, Komision Evropian, Agjencioni i Privatizimit të  Kosovës (AKP),  etj. 

 

 

 

Përveç konferenca të njëpasnjëshëm që janë organizuar në UBT  në kuadër të projektit në fjalë janë organizuar edhe vizita studimore nëpër komunat e Kosovës,  ku partnerët e projektit kanë pas  mundësi që për së afërmi t’i identifikojnë nevojat dhe kërkesat për përmirësimin e klimës së investimeve të huaja.  Po ashtu si vazhdimësi e projektit u organizua  edhe një vizitë studimore në Pragë të Republikës Çeke. Interesimi i palëve pjesëmarrës në vizitë ishte që për së afërmi ta shohin zhvillimin lokal, zhvillimin e zonave ekonomike, të parqeve, bizneseve, për të bërë promovimin e investimeve të huaja në rajonet e Republikës së Kosovës tek investitorët potencial çek.

 

 

 

Një informacion shtesë rreth organizatës Quality Kosova,  është themeluar dhe drejtohet nga UBT dhe e pranuar me të drejta të plota si anëtare e Organizatës Evropiane për Cilësi (Europian Organization for Quality).

 

 

Quality Kosova funksionon që nga viti 2006 dheështë asociacion që merret me çështjen e kualitetit, standardeve, certifikimeve dhe konfirmimit. Promovon cilësinë në Kosovë, në bazë të standardeve evropiane dhe ndërkombëtare, merret me certifikimin e sistemeve e produkteve, si ISO 9001 e të tjerë.