UBT dhe partnerët organizojnë tryezën rajonale “She Builds Peace” në përkujtim të 25-vjetorit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

24/11/2025

Në kuadër të përkujtimit të 25-vjetorit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS) dhe si pjesë e fushatës globale “She Builds Peace”, UBT, në bashkëpunim me YSP Balkan dhe Women Center for Development and Culture Albania (WCDCA), organizuan një tryezë rajonale me rëndësi të veçantë, e cila kishte për qëllim të reflektuar mbi rolin e grave dhe të rinjve në ndërtimin e paqes në Ballkanin Perëndimor.

Ky aktivitet u zhvillua më 13 nëntor 2025, në Sallën e Bibliotekës së Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, dhe u drejtua dhe moderua nga Ejona Icka, Koordinatore e OKB-së për IAYSP Europe & Middle East dhe Drejtoreshë Ekzekutive e YSP Balkan.

Në diskutimin e pasur morën pjesë ekspertë dhe udhëheqës rajonalë, duke përfshirë:

Doc. Dr. Kaltrina Zekolli Shaqiri, Zv/Ministre e Transportit, Maqedonia e Veriut

Dr. Rudina Çollaku, Drejtoreshë Ekzekutive, Women Center for Development and Culture, Shqipëri

Ms. Besa Asllani, Koordinatore, Youth Forum of PVD, Lugina e Preshevës

Ms. Arta Tahiri Beqa, Analiste

Tryeza ofroi një platformë të rëndësishme dialogu për udhëheqëse gra, përfaqësues të rinisë, organizata të shoqërisë civile dhe institucione qeveritare, duke theksuar rëndësinë e sigurisë komunitare, perspektivat ekspertësh mbi paqen dhe sigurinë, si dhe zërin e të rinjve në krijimin e partneriteteve që sjellin në jetë rezolutat ndërkombëtare si 1325 në nivel rajonal.

Ky aktivitet kontribuon drejtpërdrejt në fushatën globale “She Builds Peace”, e cila promovon dy shtylla kyçe të veprimit: Njohjen dhe Pjesëmarrjen, duke riafirmuar angazhimin e Ballkanit Perëndimor për zbatimin e plotë të Rezolutës 1325, në këtë përvjetor historik.

“Paqja fillon me pjesëmarrje,” u theksua gjatë tryezës, duke vlerësuar rëndësinë e angazhimit aktiv të grave dhe të rinjve në proceset e ndërtimit të paqes dhe stabilitetit rajonal.

Ky aktivitet mbështetet nga ICAN – International Civil Society Action, UBT dhe WCDCA, duke forcuar vizionin e përbashkët për të drejtat e grave, paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit.