UBT dhe OIRK forcojnë bashkëpunimin në fushën e inxhinierisë ndërtimore

28/05/2025

Në një hap të rëndësishëm drejt avancimit të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe profesionit, Fakulteti i Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës në UBT dhe Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK) nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit në fushën e inxhinierisë ndërtimore dhe zhvillimit profesional të studentëve dhe inxhinierëve të rinj.

Marrëveshja u firmos nga Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës në UBT, Prof. Dr. Visar Krelani dhe Kryetari i OIRK-së, Ing. Dpl. Arsim Rapuca, në praninë e Drejtorit Ekzekutiv të OIRK-së, përfaqësuesve të stafit akademik të UBT-së si dhe përfaqësuesve institucionalë.

Pikat kyçe të bashkëpunimit përfshijnë:

  • Ofrimin e praktikave profesionale dhe mentorimit për studentët e sapodiplomuar të INI – UBT;
  • Organizimin e trajnimeve, seminareve dhe ligjëratave të përbashkëta, me qëllim të rritjes së kapaciteteve profesionale;
  • Edukimin e vazhdueshëm profesional, si për inxhinierët aktualë, ashtu edhe për gjeneratat e reja që synojnë të ndjekin këtë profesion;
  • Pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin në projekte kërkimore dhe zhvillimore që ndërlidhen me fushën e inxhinierisë ndërtimore;
  • Kontribut të përbashkët në përmirësimin e kurrikulave akademike dhe politikave profesionale, me qëllim që ato të reflektojnë nevojat reale të tregut të punës.

Ky partneritet strategjik vjen si rezultat i përkushtimit të UBT-së për të ndërtuar ura bashkëpunimi me institucionet profesionale të vendit, duke e vënë studentin dhe përgatitjen e tij praktike në qendër të misionit akademik.

Me këtë marrëveshje, Fakulteti i Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës në UBT konfirmon edhe një herë rolin e tij lider në përgatitjen e inxhinierëve të aftë për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës dhe ndërtimtarisë në Kosovë dhe më gjerë.

Bashkëpunimi mes OIRK-së dhe UBT-së është dëshmi e përkushtimit të përbashkët për cilësi, profesionalizëm dhe inovacion në sektorin e inxhinierisë.