UBT bëhet institucioni i parë dhe i vetëm në Kosovë dhe në rajon që merr akreditim prestigjioz nga British Accreditation Council

06/03/2026

Rektori i UBT, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka bërë të ditur se institucioni është akredituar nga British Accreditation Council për një periudhë katërvjeçare, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme për institucionin dhe për arsimin e lartë në Kosovë.

Gjatë një konference për media, Rektori Hajrizi theksoi se ky akreditim konfirmon se UBT përmbush standardet e larta britanike dhe evropiane të cilësisë në arsim, duke përforcuar më tej pozicionin e institucionit në skenën ndërkombëtare akademike.

British Accreditation Council është një nga institucionet më të njohura ndërkombëtare për sigurimin e cilësisë në arsim, me seli në Mbretërinë e Bashkuar, që vlerëson dhe akrediton institucione arsimore në mbarë botën për të garantuar standarde të larta akademike dhe menaxhim institucional të qëndrueshëm.

“Procesi i akreditimit nga British Accreditation Council është i detajuar dhe shumë rigoroz. Gjatë këtij procesi janë analizuar në mënyrë të thelluar programet tona akademike, cilësia e mësimdhënies, infrastruktura, menaxhimi institucional, shërbimet për studentët dhe angazhimi ynë për përmirësim të vazhdueshëm”, tha Hajrizi.

Ai bëri të ditur se si rezultat i këtij procesi, UBT është bërë institucioni i parë dhe i vetëm në Kosovë dhe në rajon që merr këtë akreditim prestigjioz nga British Accreditation Council.

Rektori Hajrizi e cilësoi këtë arritje si dëshmi të qartë se përkushtimi i UBT-së për cilësi, inovacion dhe ndërkombëtarizim po njihet dhe vlerësohet edhe në nivel ndërkombëtar. Ai shprehu mirënjohje për stafin akademik dhe administrativ, studentët dhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar në arritjen e këtij suksesi.

Sipas tij, për studentët dhe të gjithë ata që zgjedhin të studiojnë në UBT, ky akreditim përfaqëson një garanci shtesë se ata janë pjesë e një institucioni që funksionon sipas standardeve më të larta britanike dhe evropiane, duke i përgatitur për një treg pune gjithnjë e më global dhe konkurrues.

Në përfundim, Hajrizi theksoi se UBT do të vazhdojë të investojë në cilësi, kërkim shkencor, inovacion dhe bashkëpunim ndërkombëtar, me synimin që institucioni të mbetet një lider i arsimit të lartë në Kosovë, në rajon dhe më gjerë.