U publikua hulumtimi “Pavarësia dhe besueshmëria e mediave në Kosovë”

29/01/2015

Prishtinë, 29 janar. – Hulumtimi “Pavarësia dhe besueshmëria e mediave në Kosovë”, i realizuar nga Qendra për Hulumtim të Opinionit në UBT dhe Instituti i Medias i Kosovës, është prezantuar sot në Prishtinë, me pjesëmarrje të editorëve, gazetarëve e përfaqësuesve të mediave dhe të institucioneve të ndryshme.

 

Rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi, në hapje të prezantimit, theksoi se ky hulumtim ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit mes UBT-së dhe Institutit të Medias të Kosovës, institucione këto që kanë ndërtuar një strategji bashkëpunimi edhe në projekte të tjera.

Rezultatet e prezantuara sot të hulumtimit “Pavarësia dhe besueshmëria e mediave në Kosovë” janë vetëm pjesa e parë e një projekti më të gjerë, i cili parasheh realizimin edhe të dy hulumtimeve të tjera deri në fund të vitit, për të pasur një publikimit të pasqyrimit të plotë të mendimit të qytetarëve rreth kësaj pavarësisë dhe besueshmërisë së mediave në vendin tonë.

 

Fazli Veliu, kryetar i Bordit të Institutit të Medias të Kosovës, theksoi se hulumtimi e ka peshën e tij më të theksuar sidomos në hulumtimin e besueshmërisë së mediave, një fushë e cila nuk është edhe aq e hulumtuar në vendin tonë.

 

Hulumtimi është realizuar në formë të anketimit, e përzgjedhur si e tillë pasi UBT dhe IMK dëshirojnë të ofrojnë raport me të dhëna parësore. Të anketuarit janë zgjedhur rastësisht. Mosha e tyre është nga 18 deri në 78 vjeç, ndërsa në hulumtim janë mbuluar regjionet kryesore të Kosovës. Nga 1200 të anketuar, 54.43 për qind kanë qenë meshkuj, ndërsa 45.57 për qind femra. 

Disa nga përgjigjet e të anketuarve në pyetjet e shtruara në hulumtim ishin këto:

Të pyetur cili është burimi prej nga informohen, 60.66 për qind e të anketuarve kanë thënë se burim informatash për ta është interneti, 30.95 për qind televizioni, 4.75 për qind gazetat, ndërsa 1.64 për qind radiot.

Në pyetjen cilat informacione i preferojnë, përgjigjet janë këto: lajmet vendore (60.33 për qind), lajmet ndërkombëtare (13.44 për qind), lajmet nga sporti (21.15 për qind), lajme të tjera  (5.08 për qind).

Të anketuarit i janë përgjigjur edhe pyetjet lidhur me pavarësinë e mediave. 69.84 për qind janë shprehur se në Kosovë ka media të pavarura, ndërsa 30.16 për qind thonë se nuk ka.

Të anketuarit janë pyetur edhe: A janë të politizuara mediat në Kosovë? 17.21 për qind thonë se shkalla e politizimit është 20-30 për qind, 61.31 për qind thonë se kjo shkallë është 50-60 për qind, ndërsa 21.48 për qind mendojnë se shkalla e politizimit të mediave është 80-90 për qind.

Ndërsa, ndërlidhur me besueshmërinë e mediave, mendimet e të anketuarve janë këto: 13.77 për qind e të anketuarve thonë se mediat janë të besueshme, e quajnë pozitiv këtë element, 69.02 për qind flasin e trajtojnë si mesatare besueshmërinë, ndërsa si negative 17.21 për qind.

 

Qytetarët kanë dhënë përgjigjet e tyre edhe lidhur me besueshmërine e informatave/lajmeve 

në internet. Përgjigjet e tyre janë: Shumë mirë 5.90 për qind, mesatarisht mirë 58.69 për qind dhe jo në nivelin e duhur 35.41 për qind.

Tema e hulumtimit ka zgjuar interesim të madh të të pranishmëve, të cilët në një debat të gjerë kanë paraqitur mendimet dhe qëndrimet e tyre rreth temës së pavarësisë dhe besueshmërisë së mediave në Kosovë.