U organizua konferenca “Dita Austriake-Kosovare e Industrisë 2015”

07/10/2015

Shoqata Austriake në Kosovë dhe UBT, në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës organizuan sot konferencën “Dita Austriake-Kosovare e Industrisë 2015”, me qëllim që të promovojnë sektorin e industrisë në Kosovë, duke u bazuar në modelin austriak.


Me këtë rast, në fjalën hyrëse rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ndër të tjera theksoi se përgjegjësia e UBT-së mbi këtë forum është të përcjellë njohuritë e reja të kësaj natyre si dhe të ketë cilësi në ofrimin e këtyre shërbimeve.


“Forumi që kemi sot është mundësi e shqëlqyer për t’i shkëmbyer përvojat tona. Por, cila është përgjegjësia e UBT-së? Përgjegjësia e UBT-së është të përcjellë njohuritë e reja të kësaj natyre. Ne nuk mund të prodhojmë njohuri të reja individualisht, mirëpo duke falenderuar partnerët për bashkëpunimin ideja po zgjerohet. Në vend se të importojmë ne duhet të zhvillojmë ekonominë e vendit tonë. Ajo që jemi duke u munduar ta bëjmë është pikërisht koncepti i cilësisë. Që nga viti 2002 kemi mbajtur aktivitete për cilësinë, ndërsa sot gjithçka është e vendosur, vetëm që duhet të punojmë në këtë drejtim”, tha rektori Hajrizi.


David Ungar, organizuesi i ComSult në Vjenë, njëkohësisht specialist i teknologjisë, pohoi se çështjeve kryesore që duhet t’i përmbahet Kosova si vend që synon ta zhvillojë këtë sektor janë arsimi cilësor si dhe inovacioni (krijimtaria, ndërrmarrësia, etj.) Sipas Ungar, lokacioni për të bërë bizenes duhet të ketë potencial dhe shumë invesitorë nuk janë në dijeni se Kosova ka një lokacion industrial. Ndërkohë që theksoi se infrastruktura e cila dhe përmbush kushtet e të bërit biznes, luan rol të rëndësishëm.


“Gjatë këtij procesi një gjë është e rëndësishme, digjitalizimi apo modernizimi. Në këtë mënyrë suksesshëm mund të fillohet edhe me promovimin e kësaj fushe. Duhet t’i promovoni lokacionet në Kosovë dhe kjo është mënyra më e mirë për të joshur investimet. Gjithashtu, nëse keni infrastrukturën e duhur ky është një imazh që tërheq investimet. 60 për qind e pyetjeve të menaxherëve biznesorë në botë, janë për infrastrukturën. Pra, infrastruktura është faktori kryesor i lokacionit dhe kjo i bën të joshur shumë inevstitorë”, është shprehur Ungar.


Derisa Jan Peter Olters, menaxher i Bankës Botërore në Kosovë, tha se objektivi i industrisë në Kosovë është që të flitet më pak për potencialin, ndërsa rëndësi t’i kushtohet mundësive. Sipas tij, industria është një fushë që paraqet sfia të ndryshme.

“Kosova ka përmbajtje të ulët kapitale, zbrasëtirat e produktivitetit ende reflektohen. Fokusi më i mirë dhe më efikas është rritja e cilësisë, më pas rritja e produktivitetit. Duhet të flitet më pak për potencialin e më shumë për mundësinë, sepse është sfidë kjo fushë e ndërkohë trended e tanishme mbështeten në rritjen industriale”, është shprehur Olters.


Emmanuel Mitsou, përfaqësues nga Sharrcem (kompani që merret me prodhimin e çimentos në Kosovë), para së gjithash tha se se kjo fushë ka nevojë për parakushte në mënyrë që të zhvillohet suksesshëm. Ky sektor, sipas tij, nuk ndodhet rastësisht andaj i gjithë potenciali mbështet edhe tek të rinjët që edhe shihen si mundësi.


“Duhet të dijmë që potenciali shihet tek të rinjtë e vendit. Është e vërtetë që ka shumë problem dhe nevojitet një plan, por industria nuk ndodhet rastësisht, e kjo fushë ka nevojë për parakushte që të zhvillohet. Kur mundohemi ta shohim Kosovën si lokacion biznesi, duhet të shohim edhe modelin e saj. Mjedisi i biznesit duhet të fillohet me hapa të theksuar, por jo të mendohet për korniza apo ligje të mëdha. Pra, fillimisht duhet të mendohet për skema  të mëdha”, tha Mitsou.


Kostas Rizopoulos, përfaqësues i Ferronikelit (kompani ndërkombëtare e specializuar në eksplorim, miniera dhe prodhimin e hekur-nikelit), duke folur për investimet që janë bërë në këtë kompani, pohoi se kemi investuar njëqind milionë dollarë për të filluar punën dhe ndër vite kemi arritur që të rrisim potencialin tonë. Duke folur për mundësitë e të bërit biznes në Kosovë, Rizopoulos tha se ky vend duhet të përmirësojë qasjen dhe të respektojë komunitetin e biznesit.


“Ne kemi investuar shumë para, rreth 100 milionë dollarë dhe kemi arritur që me burime vendore të arrijmë të kemi produkte të cilësisë së lartë, produkte këto që po shiten në shumë vende të botës. Bizneset si Ferronikeli duhet të japin punësim, GDP të lartë dhe më pas duket të jetë një storie e suksesit duke promovuar Kosovën në biznesbërje. Sigurisht që ky vend duhet ta respektojë komunitetin e biznesit”, theksoi shprehur Rizopoulos.

 

Në konferencë u paraqitën edhe folës të tjerë dhe në debatin e zhvilluar u theksuan një varg elementesh që lidhen me fushën e industrisë, që nga mënyra e organizimit, përkrahja profesionale dhe në mënyra të tjera e deri te konkurrueshmëria me kompanitë botërore, një nivel që duhet të arrihet, për të siguruar prezencën e produkteve nga Kosova në tregjet ndërkombëtare.