U mbajt Akademia Verore MBE 2015

13/07/2015

Në UBT është mbajtur Akademia Verore në Ndërmarrësi dhe Inovacion e organizuar nga Fakulteti për Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi. Nëpërmjet ligjëratave dhe diskutimeve të hapura të planifikuara dhe të mbajtura gjatë Akademisë Verore në Ndërmarrësi dhe Inovacion, është arritur që të sigurohet ngritja e njohurive dhe kuptimi më i profesionalizuar i njohurive në fusha të ndryshme nga Biznesi, Menaxhimi Strategjik dhe Ndërmarrësia.

 

Temat që u mbuluan brenda Akademisë Verore MBE 2015 ishin të kombinuara mirë dhe ofruan qasje me vlerë të shtuar në drejtim të arritjes së ekselencës profesionale duke i pajisur pjesëmarrësit me mundësi inovative dhe me ritëm më dinamik për procesin e krijimit të ndërmarrjeve të reja.

Akademia Verore MBE filloi më 30 qershor 2015 dhe vazhdoi deri më 4 të korrik 2015.

Hapjen e Akademisë Verore MBE në Ndërmarrësi dhe Inovacion e bëri Dekani i Fakultetit për Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE), Dr. Ylber Limani.

Ai tha se kjo akademi po organizohet për herë të katërt dhe tani është bërë traditë e MBE-së dhe pjesë integrale e planit për zhvillim strategjik të fakultetit. Z.Limani shprehu besimin dhe bindjen se të gjithë ata që ishin tubuar në akademi, ndajnë ambicie të njëjta, ambicie për zhvillim dhe për vlera akademike profesionale.

“Universiteti është një institucion unik i cili si i tillë përjetoi presione të ndryshme gjatë historisë, por që asnjëherë nuk devijoi nga qëllimi fondamental i ekzistimit të tij, nga qëllimi për të vendosur relacion më të shëndoshë dhe më kuptimplotë në mes të njeriut, natyrës dhe shoqërisë dhe duke u përpjekur që vazhdimisht t’i jepet kuptim shkencor relacionit të tillë”, tha dr. Limani.

 

Universiteti, që nga themelimi i tij në Bolonjë para më shumë se 10 shekujsh e deri sot, ka qenë në shërbim të shoqërisë dhe asnjëherë nuk ka lejuar të jetë i influencuar nga jashtë, por ka përcjellë mesazhe të qarta dhe të zëshme tek rrymat e ndryshme destruktive të kohërave, duke arritur kështu të ruaj vlerat dhe arsyen e ekzistimit, vijoi ai.

Dr.Limani shtoi në vijim se universiteti nuk ka mision afatshkurtër fitimprurës, por ka mision shumë më të gjerë. Përmes universitetit dhe njohurive të marra në fakultetet përkatëse, studentët mësojnë e aftësohen ta kuptojnë kompleksitetin shumëdimensional të ekselencës sonë. Deri në shekullin e kaluar, kryesisht është mësuar për mirëqenie dhe ekonomi, kurse nga fundi i shekullit të kaluar dhe në këtë shekull fokusi i studimeve është orientuar edhe në dy dimensione të tjera, në aspektin social dhe në atë të mjedisit. Kjo rrëshqitje në dimensione të reja ndodh për shkak se fokusi vetëm në ekonomi dhe në produktivitet i ka shkaktuar njerëzimit dhe ambientit probleme të reja të cilat është dashur të adresohen me urgjencë.

 

Fokusi në tri dimensionet: në ekonomi, shoqëri dhe në ambient e shndërron kuptimin e domosdoshmërisë së zhvillimit ekonomik nga qëllimi klasik i rritjes së produktivitetit , në balancim të tri dimensioneve bazë. Kjo nënkupton që studimi universitar ka për qëllim arritjen e njohurive në mënyrë ekuivalente në sferat e ndryshme duke i mbajtur ato në baraspeshë dhe duke i sanuar disa dëmtime të cilat ju kanë shkaktuar ambientit dhe shoqërisë gjatë shekujve të kaluar, tha ai.

Kualiteti i institucionit të edukimit të lartë varet nga e drejta e shprehjes së lirë. Por e drejta e shprehjes së lirë na obligon që fuqishëm ta përkrahim të vërtetën dhe ta denoncojmë të pavërtetën.

Roli fondamental i Akademisë verore si vegël apo element i rëndësishëm strategjik është pikërisht inkuadrimi i studentëve, institucioneve, shoqërisë dhe industrisë në debat të përbashkët akademik, me qëllim të ruajtjes dhe rritjes së mëtutjeshme të vlerave akademike.

Qëllimi i akademisë verore është që, ndër të tjera, ta kuptojmë njohjen tonë, arsyen e veprimit, fondamentin akademik dhe ta përmirësojmë procesin e pafund të marrjes së dijes qe do të përcillet gjithmonë nëpër gjenerata.

Përfundimisht, mund të konkludojmë se ne si akademikë kemi pretendime që institucionet universitare t’i ngrisim në nivel të perfeksionimit, ku do të mund të japim zgjidhje për të gjitha problemet dhe do të japim arsyeshmëri për zgjedhjet e alternativave më të mira, tha ndër të tjera dr.Limani.

Akademia Verore MBE 2015 zgjoi interesim të madh të shumë ligjërueseve dhe pjesëmarrësve nga departamentet dhe nga degët e ndryshme industriale.

 

Ligjërues në këtë Akademi ishin profesori nga Austria, Engelbert Selenko, përfaqësues e zyrtarë të lartë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, përfaqësues nga Raiffeisen banka, si dhe profesor e studentë nga fakultete e ndryshme të UBT-së.

 

Engelbert Selenko, që në ligjëratën parë të tij tha se Akademia Verore ka qëllim që t’u ofrojë pjesëmarrësve dhe ndërmarrësve të ardhshëm një program të Ndërmarrësisë Inovative dhe ambicioze dhe do t’u mundësojë pjesëmarrësve të zbulojnë ide të reja për produkte dhe shërbime, t’i ekzaminojnë ato ide dhe, pse jo, të vazhdojnë më tutje në krijimin e atyre produkteve/shërbimeve.