Teknologjia në shërbim të Shëndetësisë dhe të Edukimit

11/03/2015

Prishtinë, 11 mars. – Konferenca “Ditët Austriake-Kosovare 2015”, e moderuar nga presidenti i Asociacionit Austriak-Kosovar, Gunther Fehlinger, i ka vazhduar diskutimet në temën e E-Shëndetësisë dhe E-Edukimit dhe përparësitë e tjera që ofron teknologjia informative në të gjitha fushat.

 

Në këtë vazhdë, për përdorimin e e-teknologjisë në shëndetësi foli z.Olegas Niaksu nga Lituania, i cili paraqiti për një varg përvojash nga projektet në e-shëndetësi në Shqipëri dhe sidomos në disa vende të Afrikës, ku ai ka marrë pjesë në zbatimin e tyre.

 

“Para 17 vitesh në Afrike ne e filluam regjistrimin e pacientëve në sistemet spitalore. Qytetarët presin shërbime shëndetësore efektive, pritet dhe synohet përkujdesi më i madh ndaj atyre që jetojnë ne zonat rurale. Ajo çfarë ne kemi tentuar ta bëjmë në Afrikë, pasi që atje dihet se sëmundjet ngjitëse janë më të shpeshta, ishte që të krijonim qendra të parandalimit të sëmundjeve e jo qendra shëruese nga to”, tha z.Niaksu.

 

“Investimet nga shtetet e ndryshme bënë që të rregullohej rrjeti i mbingarkuar dhe të krijohej një sistem spitalor i cili tashmë lidh jo vetëm qytetet por edhe shtetet”, tha Olegas Niaksu.

Edmond Hajrizi: “Zgjidhja e problemeve është arsimi”

Z.Fehlinger e ftoi në vazhdim Presidentin e UBT-së, Edmond Hajrizi për ta marrë fjalën. Njëkohësisht e uroi atë për sukseset në garat me robotët që luajnë futboll, ku UBT ka zënë vendin e parë në garë me shumë universitete nga e gjithë Evropa. “Ju keni një arritje të lartë, keni vendin e parë në robotikë”, u shpreh Felinger.

Ndërsa, rektori Hajrizi vuri theksin te rëndësia e shpërndarjes së internetit. Ai tha se 85 për qind e territorit të vendit mbulohet me rrjet të internetit, që për UBT-në, si kolegj i teknologjisë është shumë e rëndësishme.

 

“Si shtet i ri, kemi ekspertë në lëmi të ndryshme, por janë të paktë në numër. Ne duam të kontribuojmë në këtë aspekt. Ne si organizatë e teknologjisë kërkojmë më të mirën, kërkojmë të gjejmë gjërat më të mira dhe të nxjerrim ekspertë të rinj. Kemi nisur në vitin 2001 kurse tash në vitin 2015 jemi shkolla më e madhe e teknologjisë në rajon. 800 studentë në drejtimet e teknologjisë janë shumë, por kjo krijon potencial të madh! Jemi të parët në Ballkan të certifikuar me çmimin për ekselencë, gjithashtu edhe me shumë certifikime të tjera për cilësi na ISO. Këto çmime ne nuk i kemi për t’i treguar por për të punuar me to. Kemi shumë programe për studim dhe këtë e konsiderojmë si përgjegjësi për edukimin e të rinjve”, tha z.Hajrizi. 

Ai tha se zhvillimi profesional bëhet me trajnime, si p.sh Cisco e tash edhe Microsoft e shumë të tjera. Pjesë tjetër e zhvillimit është që ne të arrijmë standardin dhe t’u afrohemi liderëve të shkollimit botëror.

“Kampusi ynë njihet në mbarë Ballkanin si një ndër më të mëdhenjtë dhe me kushte shumë të mira për zhvillimin e studenteve”, tha ndër të tjera Edmond Hajrizi. 

Në konferencë foli edhe Jovce Plastinovski përfaqësues i Microsoft në Maqedoni.

 

“Transparenca është ajo që ne e kemi kërkuar nder vite në projektet tona. Kemi hequr fjalëkalimet e ueb-faqeve të shërbimeve zyrtare dhe në fillim ata thanë: Ju po e rrëzoni aplikacionin tuaj! Kurse ne u përgjigjëm: Le ta provojmë. Arritëm ta mposhtim korrupsionin dhe njerëzit ishin të lirë të aplikojnë për vende pune. Arritëm të krijojmë aplikacion për regjistrimin e biznesit nga laptopet, telefonat mobilë e pajisjet e tjera teknologjike”, tha ai.

Shembuj të ndryshëm të sistemeve shëndetësore mori edhe zonja Elisabeth Campestrini, e cila tregoi që në muajin prill ajo, bashkë me disa kolegë të saj, do të mbajë një tjetër lloj të seminarit për E-shëndetësinë.

Busek: Sfida e shoqërisë është edukimi

Dr. Erhard Busek, President i Institutit për Rajonin e Danubit dhe Evropës Qendrore dhe ish Ministër i Arsimit i Austrisë, theksoi se sfida e shoqërisë është edukimi. “Duhet pranuar që kemi mungesë të resurseve, të vetmen dhuratë që e kemi është truri”, tha Busek. Sipas tij arsimimi është parakusht për zhvillimet e mëtutjeshme dhe duhet fushatë publike për arsimim. 

“Po jetojmë në ndryshimin e kushteve që na rrethojnë. Telefoni mobil po na mundëson të komunikojmë me gjithë botën, të shprehim idetë dhe të shkëmbejmë përvojat tona. Pasi u shfaq interneti mund të lidhemi me njëri-tjetrin dhe kjo gjë është në favor të qenies njerëzore”, tha z. Busek.

 

Ai tha se po jetojmë në tregun e botës dhe se konkurrenca është e dukshme. Që ta kuptojmë njëri-tjetrin së pari duhet ta dëgjojmë.

 

“Mua më bëjnë përshtypje në Kosovë se në çdo program kemi forume, diskutime të ndryshme. I konsideroj shumë të rëndësishme këto diskutime”, tha Dr. Busek.

 

Ai përmendi edhe stafin akademik, që luan një rol mjaft të madh në avancimin e njohurive. 

“Po pretendojmë ti avancojmë profesorët me trajnime ku zhvillohen aktivitetet e ndryshme. Kemi mjaftueshëm buxhet por mungojnë vetëm njerëzit e shkolluar dhe gjithçka lidhet me shkollimin dhe arsimimin”, theksoi Busek.

 

Në vazhdim foli edhe Blerim Rexha, mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës, i cili u shpreh se gjeneratat e reja po e ndryshojnë botën dhe vuri theksin te përdorimi i internetit dhe rrjeteve sociale. 

 

“Interneti nuk shërben vetëm që të postojmë gjëra nëpër rrjetet sociale, por edhe të gjurmojmë nëpër ueb-faqe të ndryshme të rëndësishme”, tha z.Rexha.

Ai gjithashtu foli edhe për funksionin e teknologjisë informative në shërbim të edukimit dhe të shëndetësisë.

Ndërsa Elisabeth Schleicher, eksperte e tregut (E-Commerce), tha se ndihet e privilegjuar dhe ka nderin që t’i ndajë me studentët dhe me stafin akademik të UBT-së faktet dhe të dhënat për tregun botëror.

Gjatë prezantimit të saj, ajo u fokusua në të dhënat për kompaninë, vlerat e konsumatorit, mundësitë për Kosovën dhe mënyrën e funksionimit.

Në debatin për rolin e teknologjisë në fushën e edukimit, rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi, shpalosi të dhëna për zbatimin e teknologjisë në institucionin që ai drejton.

 

Në fushën e edukimit ai përmendi në UBT ai përmendi: E-edukimi, E-libraria, E-Administrata, E-Partneriteti, E-Cilësia, E-Orari, E-Pjesëmarrja, E-testet, E-Syllabuset, Stafi i UBT-së dhe studentët.

Në fushën e zhvillimit profesional: ICT Akademia, CISCO, Menaxhment, Biznes si dhe stafi E-Staff.

Në fushën e hulumtimeve: E-Publikimet, E-Dokumentimet, Interneti, UBT Radio.

Hajrizi përmendi edhe rëndësinë e partneritetit që ka UBT-ja me Universitetet tjera si dhe për projektin Erasmus Mundus, në të cilën UBT është e anëtarësuar dhe studentët mund të marrin bursa për studime jashtë vendit.

Tekstin e përgatitën: Albina Zeneli, Besart Troshupa, Drin Jakurti / UBT News