
Takimi i radhës me Dr. Tanja Tamminen: Studentët e UBT-së thellojnë njohuritë mbi sigurinë evropiane dhe diplomacinë ndërkombëtare
03/06/2025Në vazhdën e aktiviteteve ndërkombëtare akademike dhe angazhimit të UBT-së për të sjellë ekspertizë globale në auditorë, studentët e Studimeve të Sigurisë zhvilluan me sukses takimin e radhës me Dr. Tanja Tamminen, eksperte e njohur në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë së Bashkimit Evropian.
Ky takim u zhvillua si vazhdim i ligjëratës së mëparshme dhe dëshmon interesimin e ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet UBT-së dhe ekspertëve ndërkombëtarë. Temë qendrore e diskutimit ishte dinamika e përfshirjes së Bashkimit Evropian në misionet civile të menaxhimit të krizave, si dhe ndikimi i tyre në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.
Studentët patën mundësinë të ngrenë pyetje më të thelluara dhe të diskutojnë çështje praktike që lidhen me sfidat dhe rolin strategjik të BE-së në garantimin e sigurisë në rajonet me ndjeshmëri politike dhe institucionale. Diskutimi u pasurua me përvoja të drejtpërdrejta nga misionet EULEX në Kosovë dhe EUAM në Ukrainë, të cilat Dr. Tamminen i ndau me pjesëmarrësit me shumë transparencë dhe profesionalizëm.
Ky takim u mundësua falë përkushtimit të Profesor Naim Dedushaj, i cili ka luajtur një rol kyç në ndërtimin e urave të komunikimit me profesionistë të profilit të lartë në nivel evropian. Për më tepër, u diskutuan edhe hapa konkretë për praktika studentore në institucionet evropiane, duke hapur mundësi të reja për studentët që synojnë karrierë ndërkombëtare në fushën e diplomacisë dhe sigurisë.