Studentët e UBT-së paraqesin vlerat e arkitekturës së Ferizajt

13/01/2017

Në Galerinë e Arteve në Ferizaj, të enjten është hapur ekspozita “Modernizimi i Ferizajt 1960-1990”, në të cilën janë paraqitur punimet e përbashkëta të profesorëve dhe të studentëve të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, dega në Ferizaj.
Në ekspozitë është prezantuar puna e arkitektëve, përmes maketeve, posterëve, broshurave, videove dhe fotografive, të cilat shfaqën vlerat e arkitekturës së Ferizajt në një periudhë 40 vjeçare.

Në hapje të këtij organizimi, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se kjo ekspozitë është rezultat i punës dhe i angazhimit të vazhdueshëm të profesorëve dhe të studentëve të UBT-së.
“Institucioni ynë ka një numër të madh të studentëve dhe të profesorëve shumë entuziastë, të cilët në vazhdimësi sjellin projekte interesante dhe me vlerë të madhe në aspektin akademik, shkencor dhe edukativ, që nisin nga ide inovative”, vlerësoi Hajrizi, duke shtuar se “projekti i tillë është i pari i këtij lloji i organizuar ndonjëherë në Kosovë”.

Dekani i degës së Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, prof. dr Lulzim Beqiri tha se projekti i punuar nga studentët dhe stafi akademik i UBT-së është në interes të veçantë, jo vetëm për studentët, por edhe për Kosovën.
“Duke qenë një projekt kaq i rëndësishëm, puna jonë është përkrahur dhe ka ngjallur interesim jo vetëm brenda UBT-së, por edhe te qytetarët e komunës së Ferizajt”, theksoi Beqiri, teksa shtoi se “studimet në UBT janë të bazuara në projekte, prandaj transmetimi tek studentët bëhet përmes tyre”.

Ligjëruesi në UBT, Kujtim Elezi theksoi se objektet e ndërtuara në të kaluarën konsiderohen si të vjetra dhe të padobishme, por sipas tij, ato kanë një rëndësi të veçantë sepse janë pjesë e historisë së krijimit të arkitekturës së Ferizajt.
“Objektet e vjetra janë pasuri dhe duhet të ruhet, në mënyrë që Kosova të krahasohet me vendet e Ballkanit dhe të Evropës, për nga mënyra e krijimit të arkitekturës në periudha të ndryshme kohore”, vlerësoi Elezi, i cili duke folur për përmbajtjen e ekspozitës, tha se fotografitë paraqesin objektet që kanë pësuar transformime shumë negative.
“Transformimet negative të objekteve, jo vetëm që e nënçmojnë pjesën e historikut të arkitekturës moderne, por edhe bëhen vështirë të identifikueshme se cilës periudhë të ndërtimit i përkasin”, përfundoi Elezi.

Drejtori i Drejtorisë për Rini, Kulturë dhe Sport, Naim Ferati duke e shprehur kënaqësinë e tij për punën e realizuar nga profesorët dhe studentët e UBT-së, tha se ekspozita është e një rëndësie të veçantë. 
“Kjo ekspozitë e realizuar me shumë shije, na bënë krenarë që po mbahet në Ferizaj”, tha ai, duke vijuar se “UBT po sjell në Ferizaj një gjeneratë premtuese sa i përket fushës së arkitekturës”, përfundoi Ferati.

Studenti i UBT-së, Qendrim Begisholli tregoi se në UBT kanë mësuar se arkitektura është një reflektim i kulturës së shoqërisë sonë dhe si e tillë, detyrohemi ta ruajmë.
“Qyteti i Ferizajt, si shumë qytete të tjera janë të ndërtuara dhe të rregulluara në atë mënyrë që të emitojnë objektet klasike, prandaj kjo është arsyeja kryesore se pse ne kemi shfaqur këtë ekspozitë”, u shpreh Begisholli.

Ekspozita “Modernizimi i Ferizajt 1960-1990”, do të jetë e hapur për vizitorët për disa ditë.