Studentët e UBT-së mirëpritën ligjëratën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, për diplomacinë publike dhe diplomacinë di

09/10/2013

Prishtinë,  9  tetor 2013 – Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, morri  pjesë në debatin e organizuar sot në UBT, në temën ” Diplomacia publike dhe diplomacina dixhitale”.

 

 Të pranishëm në debat ishin profesorë të UBT-së, mysafir nga Polonia,  studentë dhe të interesuar të tjerë, të cilët e përcollën me interesim debatin.

 

Fillimisht,  Presidenti i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi përshëndeti mysafirët dhe i njoftoi me punën dhe organizimin e UBT-së, si dhe i falënderoi ata për pjesëmarrje në debat në UBT, një institucion që ka traditë të gjatë në organizimin e debateve nga fusha të ndryshme, me interes për studentët dhe për opinionin e gjerë. Z. Hajrizi, gjithashtu në fjalën e tij hyrëse shprehu fjalë miradije për punën e çmuar të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) dhe të zëvendësministrit Selimi në promovimin e Kosovës përmes aktiviteteve të shumta në kuadër të diplomacisë publike dhe diplomacisë dixhitale të Kosovës.

 

Në fjalën e tij hyrëse, zëvendësministri Selimi përgëzoi  UBT-në për kontributin e rëndësishëm në avancimin e arsimit të lartë në Kosovës përmes pasionit për dijen. Ai tha se angazhimi i profesorëve dhe studentëve të UBT-së ka një peshë të veçantë në sjelljen e standardeve ndërkombëtare të programeve të studimit, por edhe në ndërtimin e kapaciteteve vendore profesionale dhe akademike.  

 

Para të pranishmëve Selimi tha se,  përqendrimi kryesor dhe theksi i veçantë i MPJ-së në periudhën pas shpalljes së pavarësisë është vënë në njohjet e Kosovës përmes bashkëpunimit bilateral me shtete nga Evropa, Azia e deri te Afrika dhe Amerika Latine. 

Selimi tha se në kohën kur me miliarda njerëz janë përdorues të rrjeteve sociale dhe rrjeteve të informacionit në përgjithësi, prania e Kosovës dhe projeksioni i rrëfimit të saj përmes këtyre rrjeteve dhe mjeteve të tjera të rëndësishme të teknologjisë bashkëkohore nuk është një nevojë, por është një domosdoshmëri, duke shtuar se është koha që të shkohet përtej diplomacisë klasike konfidenciale.  Ai theksoi mungesën jo të rrallë të informacionit të saktë për Kosovën në internet, kryesisht për shkak të propagandës së qëllimshme të Serbisë ku Kosova portretizohet me një imazh shumë të errët. Në këtë drejtim, shtoi Selimi, MPJ, në bashkëpunim me ekspertë të jashtëm, ka përpiluar Strategjinë Kombëtare për Diplomacinë Digjitale, të cilën revista prestigjioze për diplomaci publike në Turqi, “Yeni Diplomasi” (“Diplomacia e Re”), është vlerësuar si Strategjia më e mirë Kombëtare për Diplomaci Digjitale nga të gjitha vendet e Ballkanit dhe e katërta në botë, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, dhe Izraelit. Si rezultat i përkushtimit të MPJ-së në promovimin e Kosovës përmes diplomacisë publike dhe diplomacisë dixhitale, në mesin e aktiviteteve të shumta, u realizuan edhe 3 projekte të suksesshme:  1) Projekti Wiki Academy Kosovo 2013, ku nga 85 artikuj të dërguar në lëmitë prej më të ndryshme që lidhen me Kosovën, u përzgjodhën 10 artikujt më të mirë, të cilët u bënë pjesë e Wikipedias; 2) Gara kombëtare AppCamp Kosovo 2012, ku u përzgjodhen aplikacionet më të mirë për telefoni mobile në të cilët prezantohet turizmi dhe ekonomia e Kosovës; 3) Gara kombëtare për fotografinë më të mirë për Kosovën, në tri kategori: njerëzit, ngjarjet dhe natyra, në të cilën mbi 11,000 foto janë dërguar, prej të cilëve 20 garues janë shpërblyer me çmime, kurse është botuar edhe një libër me 100 fotot e përzgjedhura nga juria përkatëse.

 

Selimi foli edhe për faqen e internetit www.digitalkosovo.org, e cila është rezultat i nismës së MPJ-së dhe partnerëve të saj, në të cilën të gjithë qytetaret e Kosovës mund të kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në promovimin dhe realizimin e objektivave të diplomacisë dixhitale të Kosovës.

 

Selimi tha se Kosova duhet të përfitojë nga demografia e saj, nga të rinjtë e saj, të cilët përbëjnë shumicën dërrmuese të popullatës dhe të cilët shquhen me ndërmarrësinë e tyre, dhe që tërë potencialin sipërmarrës ta shndërrojnë në përparësi krahasuese ndaj vendeve të rajonit. Kosova, tha Ai, mund të bëhet shembull në sektorin e teknologjisë informative, sidomos kur kihet parasysh se shtrirjen e gjerë të pranisë dhe përdorimit të internetit në tërë vendin. Zëvendësministri i Jashtëm, Selimi tha se të gjitha sondazhet e kryera nga kompani të ndryshme kanë treguar se integrimet euro-atlantike të Kosovës nuk janë vetëm synim politik dhe shtetëror, por edhe përbëjnë një konsensus shoqëror. 

 

Selimi veçoi edhe aktivitetet në fushën e dialogut ndërfetar, të cilat mund të qasen edhe në faqen e internetit www.interfaithkosovo.org, duke përfshirë këtu konferencën ndërkombëtare ndërfetare punimet e së cilës u zhvilluan në Pejë në maj të këtij viti dhe në të cilën morën pjesë rreth 200 prijës fetarë, udhëheqës të komuniteteve dhe ekspertë nga 42 shtete, të cilët diskutuan për procesin e pajtimit dhe se si feja mund të jetë një forcë bashkuese, në nivelin rajonal dhe global.

 

Në fund, zëvendësministri Selimi u falënderua nga studentët e UBT-së  të cilëve iu përgjigj në pyetje të shumta në fushën e diplomacisë dixhitale.