Studentët e Lipjanit gëzojnë zbritje 50 për qind për regjistrim në UBT

18/07/2013

Është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit në mes të Komunës së Lipjanit dhe UBT –së

 

 

Prishtinë,  18 korrik 2013–  Është nënshkruar  marrëveshja e Bashkëpunimit në mes të presidentit të UBT-së,  prof. dr.  Edmond Hajrizi dhe kryetarit të Komunës së Lipjanit, zotri  Shukri Buja, i cili iu mundëson lehtësime në regjistrim të gjithë atyre duan t’i ndjekin studimet në këtë institucion. Madje, atyre iu ofrohet 50 për qind zbritje nëse regjistrohen në UBT.

 


Presidenti i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, ka thënë se, komuna Lipjanit ka ndihmuar shumë. “Komuna ka bërë një investim, duke ndarë një pjesë të tokës. Për këtë ne duhet t’ia shpërblejmë në rënd të parë qytetarëve, e, veçanërisht rinisë studentore të Lipjanit, së pari me edukim cilësor, e dyta edhe me mundësi financiare. Këtë e them, duke krijuar rrethana lehtësuese në pagesë për studentët nga Komuna e Lipjanit. Prandaj, ne do të shikojmë mundësi tjera për ta ndihmuar komunën e Lipjanit edhe duke qenë afër për ta mbështetur zhvillimin ekonomik të komunës, mandej duke mbështetur projekte për zhvillim të bizneseve, projekte për zhvillim të arsimit etj. Ne kemi menduar ta bëjmë një inkubator të biznesit, ku mund të gjenerojnë biznese të reja, sepse ekziston dija, ekziston mundësia, sepse ne i përkrahim derisa ata të stabilizohen, e kur të stabilizohen ata dalin prej inkubatori dhe vazhdojnë së vepruari të pavarur. Ky inkubator nuk mund të dështojë, sepse për dallim me inkubatorët tjerë, ky në Lipjan e ka institucionin e UBT-së afër. Pastaj kemi mundësi të mira për mbajtur seminare, ligjërata për zhvillimin dhe avancimin e biznesit”, ka deklaruar Hajrizi, duke shtuar: “Pra ne jemi në gjendje t’i rrisim kapacitetet e reja hulumtuese dhe profesionale, duke rritur cilësinë në shumë sfera të studimeve bashkëkohore, por edhe në ndërkombëtarizmin e saj”. “Kemi infrastrukturë tani që na mundëson t’u përgjigjemi sfidave të shumta që kërkon zhvillimi i vendit. Nëpërmjet laboratorëve bashkëkohorë, infrastrukturës dhe kompetencës profesionale ne si staf drejtues do t’i përgjigjemi sfidës së prodhimtarisë vendore nga laboratorët e robotikës dhe të teknologjisë më të avancuar do të arrijmë cilësinë edhe në prodhimtarinë e vendit do ta ulim importin dhe do ta rrisim eksportin”, ka thënë ndër të tjera Hajrizi.

 


Hajrizi ka treguar se si UBT i kanë marrë edhe disa programe të reja siç janë: Programi i Ndërtimtarisë,  Shkencat Politike  dhe Mediet e Komunikimit, etj

 


Ndërkaq kryetari Buja ka thënë se “ne kemi dal me projektin për ta ndërtuar UBT-në dhe pas ndërtimit të një pjese, tash e ndien qytetarët se ajo ide për ndërtim ishte e mirëseardhur, mirëpo jo në atë shkallën sa mund ta ndiejnë tani, për shkak se gjithmonë ajo ideja se nuk do të përfitojmë se përfitojnë një shtresë e caktuar, mirëpo krejt ideja kur e kemi nisë këtë, ka qenë që të përfitojnë qytetarët dhe sidomos qytetarët e Lipjanit. Qytetarët e Lipjanit me këtë marrëveshje fitojnë shumë, në veçanti djemtë dhe vajzat e reja, sepse heqja 50 %, apo forma e kursimit 50 % e shumës të studimeve, do të thotë se është një shumë e madhe, e cila është ngarkesë për juve dhe e mirë për qytetarët, për ata që dëshirojnë të studiojnë e sidomos kur flitet për studimet e veçanta e që janë akredituar tani”, është shprehur Buja.

 


Kampusi i ri i UBT-së është në magjistralen Prishtinë-Shkup, 8 km larg Prishtinës, ku përurimi i këtij kampusi është bërë në fund të vitit të kaluar,  ku shiritin inaugurues,  para shumë të pranishmeve e  kanë prerë, Presidenti i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi,  Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Prof. Dr.  Ramë Buja dhe  kryetari i Lipjanit, Shukri Buja,  objekt ky i cili u cilësua si i rëndësisë së veçantë dhe me një koncept të ri për zhvillimin e sistemit akademik dhe  shkencor.

 


Bashkëpunimi ndërinstitucional mes UBT-së dhe Komunës së Lipjanit patë filluar në tetor të 2009-së, në Kuvendin Komunal të Lipjanit u patën  nënshkruar  kontratë midis Kuvendit Komunal të Lipjanit dhe të UBT-së për lokacion e ri, afër QMI-së, për ndërtimin e  kampusi të ri të UBT-së.  E patën  nënshkruan presidenti  i UBT-së, prof.  dr. Edmond Hajrizi dhe kryetari i Kuvendit Komunal  të Lipjanit,  zotëri  Shukri Buja.