Studentët e ANV-së nga Programi ‘Banka, Financa dhe Sigurime – Vlerësimi dhe Matja e Riskut’ vizituan BQK-në

13/07/2016

Studentët e Programit ‘Banka, Financa dhe Sigurime – Vlerësimi dhe Matja e Riskut’, në kuadër të ANV-së, kanë vizituar BQK-në. Ata takuan guvernatorin e BQK-së, Bedri Hamza. Guvernatori foli për funksionet e BQK-së dhe për mundësitë e studentëve për ngritje në karrierë, në institucionet shtetërore dhe private.

 

Studentët morën pjesë si audience edhe në një ankand të drejtpërdrejtë të letrave me vlerë, që po realizohej dhe po monitorohej nga Shkëndije Nahi, drejtoreshë e Departamentit për Menaxhimin e Mjeteve në BQK. Ajo ligjëroi shkurt për funksionimin e ankandit. Në vizitën e dytë në Bankën për Biznes (BPB), pjesëmarrësit e ANV-së dëgjuan ligjëratë nga zv.kryeshefi i BPB-së, Shpend Nura, si dhe drejtori i Divizionit të Riskut, Selajtin Ujkani.

 

Vizita rezultoi shumë përfituese për studentët, për të kuptuar më mirë funksionimin, operimin dhe strategjinë e një banke komerciale, e të suksesshme në treg. Vizita e fundit ishte në Shoqatën e Bankave të Kosovës. Pjesëmarrësit e ANV-së u informuan për punën dhe misionin e kësaj shoqate. Po ashtu, studentët u njoftuan me stafin, departamentet dhe projektet që zhvillohen nga Shoqata e Bankave.