Studentja e UBT-së shndërron vajin në biodizel që përdoret për shërbime transporti, ul ndotjen e ajrit

04/11/2020

Për muaj me radhë, studentja e Fakultetit Inxhinieri e Energjisë Efiçiente, në UBT, Laura Nushi ka hulumtuar në tregun e Kosovës, konkretisht në sektorin e gastronomisë, lidhur me sasinë dhe  gjendjen e vajit të mbetur të shfrytëzuar, e më pas ka studiuar mundësisë e riciklimit të kësaj lënde.

 

Këtë ajo e zhvilloi si hulumtim në laboratorin e kimisë në UBT, ku vajin e mbetur sidomos nga sektori i gastronomisë, e shndërroi në biodizel, e që mund të përdoret nga mjetet transportuese apo si burim i energjisë.

 

I gjithë hulumtimi u finalizua nën mentorimin e profesorit Sami Makolli, teksa gjeti mbështetje nga vetë rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, Fakulteti i Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT, si dhe nga institucione vendore qeveritare.

 

Nga hulumtimi i studentes së UBT-së, Laura Nushi, doli se Kosova çdo vit mesatarisht humb 4.5 milionë litra vaj të shfrytëzuar, sasi nga e cila mund të prodhohen 3.5 milionë litra biodizel.

 

Ajo tha se shndërrimi i vajit të zakonshëm në biodizel mund të shfrytëzohej mjaftë mirë për shërbime transporti, ku njëherësh do të mundësohej ulja e ndotjes së ajrit.

 

“Nëse kjo sasi vaji do të shndërrohej në energji elektrike (38890 MWh), i gjithë sektori i amvisërisë do të mbulohej, ndërkaq përdorimi i tij si karburant për qëllime transporti do të ulte dukshëm praninë e grimcave ndotëse në ajër. Me këto Kosova do të ishte një hap para arritjes së cakut të saj të caktuar për efiçiencë”, ka theksuar ajo.

 

Laura ka falënderuar UBT-në si institucion lider në arsimin e lartë, stafin akademik të UBT-së, për mbështetjen, njohuritë dhe praktikat profesionale të marra përgjatë studimeve universitare dhe rrugëtimit akademik.

 

Rezultatet e këtij hulumtimi janë prezantuar në Konferencën Ndërkombëtare të UBT-së, për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion, ku këtë vit i zhvilloi punimet edicioni i nëntë, me rreth 1 mijë studiues vendor e ndërkombëtar.