Studenti i UBT-së, Saimir Dinaj angazhohet në kompaninë “Limagrain”, në Gjermani

bool(false) 11/03/2021

Ambasadorët e Kosovës janë të rinjtë tanë dhe studentët që dinjitetshëm po përfaqësojnë vendin përmes punës, ideve e aftësive të tyre në fusha të ndryshme, dhe ata po dalin nga UBT, institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend.

 

I tillë është edhe Saimir Dinaj, student i nivelit master në Fakultetin Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji në UBT, i cili është angazhuar në kompaninë “Limagrain” në Gjermani, kompani kjo e cila merret me prodhimin dhe shitjen e farërave bujqësore, siç janë: farërat e misrit, drithërave, proteinave dhe kulturave vajore.

 

Të diplomuarit e UBT-së me kualitet të lartë të cilët dalin si kuadro profesionale, me institucionin që u ofron mbështetje në çdo kohë, me profesionistë të fushave të ndryshme, si dhe me kushte infrastrukturore, kanë bindur që Saimiri të zgjedhë UBT-në që të zhvillohet edhe më shumë në rrugëtimin e tij akademik në karrierë.

 

Sipas Saimirit, UBT ishte zgjedhja e duhur, që sot i ka hapur një tjetër horizont në rrugëtimin e tij profesional në fushën e Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë.

 

“UBT më ka ofruar shumë mundësi, duke filluar nga komunikimi i lehtë me profesorët, qasja dhe kujdesi i tyre ndaj studentëve, kushtet infrastrukturore për analiza laboratorike, si dhe gërshetimi i teorisë me praktikën, e që më bindën se kisha bërë zgjedhjen e duhur”, ka thënë studenti i Fakultetit Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji, Saimir Dinaj.

 

Ai theksoi se UBT-në e bën të veçantë mundësia që ky institucion u ofron studentëve të dalluar që të dëshmojnë vetën në shumë aspekte dhe në shumë fusha, përmes konferencave shkencore, trajnimeve të shumta, akademive verore, e praktikave të ndryshme.

 

Saimir Dinaj nuk është i vetmi studentë i UBT-së që përmes aftësive dhe njohurive po përfaqësojnë Kosovën me punën e tyre profesionale, duke ndihmuar në ndërkombëtarizimin sa më të denjë të vendit tonë.