
Studentët e vitit të tretë në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT përfundojnë me sukses trajnimin praktik “Micro Business Game”
30/05/2025Studentët e vitit të tretë në programin Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE) në UBT kanë përfunduar me sukses trajnimin intensiv “Micro Business Game”, një iniciativë e dizajnuar për të zhvilluar aftësitë praktike dhe njohuritë e nevojshme në menaxhimin e bizneseve të vogla dhe startup-eve.
Ky trajnim, i cili u mbajt në dy sesione paralele me mbështetjen e organizatës gjermane German Sparkassenstiftung, përmbante një program të pasur teorik dhe praktik. Studentët patën mundësinë të punojnë në simulime reale të menaxhimit të biznesit, duke përfshirë fusha të rëndësishme si:
- Menaxhimi financiar: Menaxhimi i buxhetit, kontrolli i fluksit të parasë dhe vendimmarrja për investime strategjike.
- Menaxhimi i operacioneve: Organizimi i inventarit, optimizimi i proceseve të prodhimit dhe menaxhimi i zinxhirit të furnizimit.
- Marketingu dhe shitjet: Krijimi i fushatave të marketingut, përcaktimi i politikave të çmimeve dhe strategjitë e shitjes.
- Shërbimi ndaj klientit: Menaxhimi i kërkesave dhe ankesave për të përmirësuar përvojën e klientit.
- Burimet njerëzore: Procesi i rekrutimit, trajnimit dhe menaxhimit të stafit për performancë optimale.
Trajnimi “Micro Business Game” është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të programit MBE për të përgatitur studentët me aftësi të avancuara praktike që do t’i ndihmojnë ata të përballen me sfidat e tregut të punës dhe të zhvillojnë karriera të suksesshme në fushën e biznesit dhe sipërmarrjes.
Ky trajnim u realizua nga trajnerët e kualifikuar Arta Mulliqi, Ardian Uka, Mentor Shaqiri dhe Kujtim Zylfijaj, të cilët udhëhoqën studentët nëpërmjet një procesi interaktiv dhe sfidues.
Përmes këtij programi, UBT konfirmon angazhimin e tij për të ofruar një edukim cilësor, i cili kombinon njohuritë teorike me përvojën praktike, duke u mundësuar studentëve të zhvillojnë aftësi të nevojshme për menaxhimin efikas dhe inovativ të biznesit.