Studentët e UBT-së vizituan Qendrën e Përpunimit të Drurit (Video)

13/12/2018

Studentët e Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë, në UBT, në vazhdën e vizitave studimore nëpër kompani vendore, kanë vizituar edhe Qendrën e Përpunimit të Drurit, në Ferizaj.

 

Të shoqëruar edhe nga profesorët e UBT-së, Visar Krelani dhe Arbër Muçaj, ata kanë parë nga afër procesin e përpunimit të drurit dhe realizimin e punës me makineri e sistem digjital.

 

Aty janë pritur nga drejtoresha e Fondit për Zhvillimin e Komunitetit “CDF”, Nermine Mahmuti, e cila u ka folur studentëve për kualitetin, prodhimin, shitjet dhe dizajnët e përdorura gjatë punës.

 

Ajo ka thënë se misioni i kësaj qendre është që të promovojë sektorin e përpunimit të drurit dhe bashkëpunimit ndër-sektorial me institucionet, zbatimin dhe komercializimin e inovacioneve, teknologjive të reja dhe investimeve.

 

Tutje, Mahmuti tha se në kuadër të qendrës bëhet promovimi dhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta, mbështet zhvillimin e produkteve të reja dhe ndërkombëtarizimin e biznesit, që kontribuon edhe në rritjen e nivelit të konkurrencës në këtë sektor.

 

Për të ilustruar procesin e përpunimit të drurit, studentët e UBT-së bashkërisht më përfaqësuesit e kësaj qendre kanë dizajnuar dhe shtypur logon e UBT-së në pllakë të drurit.