Studentët e UBT-së thellojnë njohuritë praktike mbi hekurudhat në Fushë Kosovë

23/12/2025

Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, të programit Ndërtimtari dhe Infrastrukturë, realizuan një vizitë studimore në Stacionin Hekurudhor të Fushë Kosovës, në kuadër të lëndës “Hekurudhat”.

Qëllimi i vizitës ishte njohja praktike me infrastrukturën e transportit hekurudhor, funksionimin e stacionit, sistemet e sinjalizimit dhe komunikimit, si dhe ndërlidhjen me format e tjera të transportit multimodal.

Vizita u zhvillua me 23 studentë, nën monitorimin e Dr. sc. Visar Baxhukut, ndërsa studentët u informuan nga z. Sabit Thaqi, Drejtor i Divizionit të Udhëheqjes së Trenave. Programi përfshiu një pjesë teorike mbi historikun e hekurudhave të Kosovës dhe një pjesë praktike në terren.

Gjatë vizitës, studentët u njohën me trasen e hekurudhës, binarët dhe lidhjet e tyre, pajisjet e sinjalizimit dhe komunikimit, sistemet e kontrollit të lëvizjes së trenave, si dhe sfidat aktuale në funksionimin e trafikut hekurudhor.

Bazuar në vlerësimet e ligjëruesve dhe reagimet e studentëve, u konstatua se vizita studimore arriti qëllimin e saj, duke ofruar përvojë praktike të vlefshme dhe duke forcuar lidhjen mes teorisë dhe praktikës profesionale.