Studentët e Stomatologjisë në UBT zhvillojnë praktikë në Institutin e Mjekësisë Ligjore
24/03/2026Studentët e vitit të pestë të Fakultetit të Stomatologjisë në UBT kanë realizuar pjesën praktike në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në kuadër të përgatitjes së tyre profesionale dhe avancimit të njohurive në fusha ndërdisiplinore, të shoqëruar nga profesori Arsim Gërxhaliu.
Gjatë kësaj praktike, studentët patën mundësinë të ndjekin nga afër procedurat e autopsisë, duke u njohur me aspektet praktike dhe shkencore të këtij procesi, si dhe me rolin e mjekësisë ligjore në zbardhjen e rasteve të ndryshme.
Vizita përfshiu edhe prezantimin e punës së institutit, ku studentët u informuan për proceset që lidhen me identifikimin e mbetjeve mortore, analizat laboratorike në fushën e histopatologjisë dhe toksikologjisë, si dhe trajtimin e rasteve që lidhen me dhunën fizike dhe seksuale.
Kjo eksperiencë praktike u vlerësua si shumë e rëndësishme nga studentët, pasi u mundësoi atyre të lidhin njohuritë teorike me praktikën reale, duke kontribuar në zhvillimin e tyre profesional dhe përgatitjen për sfidat e ardhshme në fushën e stomatologjisë dhe më gjerë.

