Studentët e Psikologjisë në vizitë studimore në SHFMU “Qamil Batalli” në Prishtinë

28/05/2025

Studentët e vitit të dytë të Fakultetit të Psikologjisë në UBT, nën udhëheqjen e profesoreshës Diana Sejdiu Shala, realizuan një vizitë studimore në kuadër të lëndës “Psikologji e Edukimit”. Vizita u zhvillua në ambientet e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Qamil Batalli” në Prishtinë, në bashkëpunim me drejtorin e shkollës, Liridon Maliqi.

Qëllimi i kësaj vizite ishte të ofrojë për studentët një përvojë praktike në lidhje me rolin dhe përgjegjësitë e psikologut shkollor. Gjatë vizitës, ata patën rastin të ndjekin një ligjëratë mbi funksionimin e grupit të ndërmjetësimit brenda shkollës – një iniciativë që synon ndërtimin e një rrjeti ndërmjetësuesish për të përmirësuar ambientin shkollor, për të adresuar konfliktet në mënyrë konstruktive, dhe për të nxitur një kulturë bashkëpunimi mes nxënësve.

Po ashtu, pjesë e diskutimit ishte edhe struktura pedagogjike e shkollës, duke përfshirë qasjen e personalizuar ndaj nxënësve nga grupet parafillore deri te klasat më të larta. U theksua rëndësia e zhvillimit të aftësive bazë dhe socializimit në moshat e hershme, ndërsa në klasat më të avancuara fokusi zhvendoset te ndërtimi i mendimit kritik dhe thellimi i njohurive.

Studentët u informuan gjithashtu për organizimin e qëndrimit gjithëditor në shkollë, që përfshin mësimin aktiv, pushimet, dhe mbështetjen psikologjike, duke kontribuar në krijimin e një ambienti të shëndetshëm dhe gjithëpërfshirës për zhvillimin e nxënësve.

Në këtë kontekst, u vlerësua edhe roli i bibliotekës së shkollës, e cila funksionon si një qendër burimesh edukative për nxënësit dhe mësimdhënësit. Ajo ndihmon në promovimin e leximit, hulumtimit të pavarur dhe zhvillimit akademik e personal të nxënësve gjatë gjithë vitit shkollor.

Kjo vizitë u konsiderua si një mundësi e vlefshme për studentët që të pasurojnë njohuritë teorike me përvojë praktike dhe të njihen nga afër me mjedisin shkollor dhe sfidat e profesionit të psikologut në arsim.