
Studentët e MBE-së trajnohen me “Savings Game” për menaxhim të zgjuar të financave personale
21/05/2025Në kuadër të projektit ndërkombëtar “Savings Game” të iniciuar nga Deutsche Sparkassenstiftung für Internationale Kooperation (DSIK) dhe i financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), u organizua një trajnim interaktiv me studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT.
Trajnimi, i zhvilluar nga profesorët Hamëz Rama, Fisnik Bytyqi dhe Mirjeta Domniku, kishte për qëllim forcimin e njohurive të studentëve mbi konceptet thelbësore të kursimit, planifikimit financiar dhe vendimmarrjes së përgjegjshme ekonomike. Duke përdorur lojën edukative “Savings Game”, studentët patën mundësinë të përfshihen në një eksperiencë praktike dhe stimuluese, që kombinon mësimin me argëtimin.
Gjatë lojës, pjesëmarrësit u ndanë në grupe dhe u vendosën në role të ndryshme, të cilat i sfiduan të balancojnë nevojat ditore, qëllimet afatgjata dhe sfidat financiare të paparashikuara. Ata zhvilluan aftësinë për të përcaktuar përparësitë, për të analizuar pasojat e zgjedhjeve ekonomike dhe për të ndërtuar strategji efektive të kursimit.
Ky aktivitet nxiti mendimin kritik, bashkëpunimin në grup dhe aftësitë praktike të menaxhimit të financave personale, duke reflektuar për rëndësinë që ka edukimi financiar në jetën e përditshme dhe në përgatitjen për karrierë. Studentët shfaqën entuziazëm, përkushtim dhe energji pozitive gjatë tërë procesit, ndërsa trajnimi u vlerësua si jashtëzakonisht i dobishëm dhe frytdhënës.