Studentët e Juridikut të UBT-së zhvilluan vizitë studimore në Kuvendin e Republikës së Kosovës

01/12/2025

Në kuadër të aktiviteteve praktike dhe profesionalizimit të studentëve, studentët e vitit të dytë të Fakultetit Juridik të UBT-së zhvilluan një vizitë studimore në Kuvendin e Republikës së Kosovës, bashkë me profesor Xhavit Shala. Qëllimi i kësaj vizite ishte që studentët, përveç njohurive teorike të fituara gjatë studimeve, të njiheshin nga afër me funksionimin e një institucioni të rëndësishëm të shtetit.

Gjatë kësaj vizite, studentët patën mundësinë të informohen për strukturën, organizimin dhe funksionimin e Kuvendit, si dhe për procedurat ligjvënëse që ndiqen në këtë institucion. Ata u njohën me procesin e hartimit dhe miratimit e ligjeve, funksionin zgjedhor dhe ushtrimin e rolit kontrollues të Kuvendit në raport me institucionet e tjera shtetërore.

Vizita u konceptua si një mundësi e rëndësishme për të integruar njohuritë praktike me ato teorike, duke u mundësuar studentëve të shohin nga afër proceset dhe mekanizmat e punës së institucionit më të lartë përfaqësues dhe ligjvënës në vend. Ky aktivitet jo vetëm që i afroi studentët me praktikën institucionale, por gjithashtu kontribuoi në rritjen e kapaciteteve të tyre profesionale në drejtim të së drejtës dhe administrimit publik.

Kjo vizitë u vlerësua si një eksperiencë e dobishme dhe e vlefshme për studentët, e cila do t’i ndihmojë ata në rrugëtimin e tyre akademik dhe profesional.