Studentët e Juridikut në UBT simulojnë mbledhje qeveritare për miratimin e një akti normativ – një hap më afër realitetit profesional

05/06/2025

Në kuadër të programit Juridik në UBT dhe konkretisht në lëndën “Shkrimi Ligjor 1”, u zhvillua një aktivitet praktik jashtëzakonisht domethënës me temën: “Simulimi i procesit të miratimit të aktit normativ – Mbledhje qeveritare e simuluar nga studentët”.

Ky aktivitet u organizua nga Grupi i studentëve të Juridikut, dhe kishte për qëllim të fuqizojë njohuritë teorike të fituara në ligjërata përmes një përvoje praktike dhe interaktive, duke i përgatitur studentët për sfidat konkrete të profesionit juridik.

Studentët morën rolet përkatëse si anëtarë të Kabinetit Qeveritar, duke simuluar një mbledhje të mirëfilltë të qeverisë ku u prezantua, u diskutua dhe më pas u miratua një akt normativ. Ata u përballën me të gjitha fazat e procesit ligjvënës, nga propozimi fillestar e deri tek votimi përfundimtar, duke demonstruar aftësi të shkëlqyera të komunikimit juridik, argumentimit ligjor dhe bashkëpunimit institucional.

Ky simulim shërbeu jo vetëm si një ushtrim praktik, por edhe si një platformë për zhvillimin profesional të juristëve të ardhshëm, të cilët përmes metodologjisë inovative të mësimdhënies në UBT, ndërlidhin ngushtë teorinë me praktikën.

UBT, si institucion lider në fushën e arsimit të lartë në Kosovë dhe rajon, vazhdon të krijojë hapësira kreative për studentët e programit Juridik, duke i përgatitur ata për një karrierë të suksesshme në sistemin e drejtësisë, administratës publike, sektorin privat dhe organizatat ndërkombëtare.