Studentët e Infermierisë bëjnë matjen e presionit të gjakut në Ditën Ndërkombëtare të Hipertensionit (Foto&Video)

17/05/2019

Dhjetëra qytetarë të rastit, përfshirë të gjitha moshat, kanë pasur mundësinë të marrin sot këshilla shëndetësore dhe të bëjnë matjen e shtypjes së gjakut nga studentët e Fakultetit të Infermierisë në UBT, në kuadër të aktiviteteve që infermierët e rinj i kanë organizuar për ndër të Ditës Ndërkombëtare të Hipertensionit.

 

Aktivitetet janë mbajtur në parkun e Gërmisë dhe në Qendrën Kulturore Sociale për të Moshuar, në Prishtinë, në bashkëorganizim me Grupin për Edukim dhe Promovim Shëndetësor në UBT, si dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, me ç’rast janë shpërndarë edhe fletëpalosje me përmbajtje sesibilizimi dhe informimit.

 

Po ashtu, ekipi e përbërë nga profesorë dhe studentë të Fakultetit të Infermierisë në UBT, ofruan edhe shërbime të matjes së glikemisë, peshës, si dhe parametrat e saturimit dhe pulsit. Ata dhanë edhe informacione të detajuara mbi rëndësinë e një ushqyerje korrekte, për aktivitete fizike dhe mbajtjes së kontakteve të rregullta me mjekun e familjes.

 

Këto aktivitete kishin për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për shkaqet dhe pasojat e presionit të lartë të gjakut, inkurajimin për të rritur kontrollin dhe për të ndjekur këshillat e profesionistëve të kujdesit shëndetësor.