Studentët e Fakultetit të Shkencave të Ushqimit në UBT realizojnë vizitë studimore në verarinë “Stone Castle” në Rahovec

03/02/2026

Fakulteti i Shkencave të Ushqimit në UBT ka realizuar një vizitë studimore në vreshtarinë dhe verarinë e njohur “Stone Castle” në Rahovec, në kuadër të aktiviteteve akademike dhe praktike që synojnë përgatitjen profesionale të studentëve sipas standardeve bashkëkohore të industrisë ushqimore.

Kjo vizitë kishte për qëllim njohjen nga afër me proceset teknologjike të kultivimit të rrushit, prodhimit të verës, kontrollit të cilësisë, sigurisë ushqimore dhe menaxhimit të industrisë së pijeve alkoolike, duke ofruar një përvojë të drejtpërdrejtë praktike për studentët e këtij fakulteti.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të ndjekin nga afër fazat kryesore të prodhimit të verës, duke u njohur me teknologjitë moderne që aplikohen në këtë sektor, standardet ndërkombëtare të cilësisë dhe procedurat e sigurisë ushqimore. Po ashtu, ata zhvilluan diskutime profesionale me stafin e verarisë “Stone Castle”, duke shkëmbyer përvoja konkrete nga praktika industriale.

Këto aktivitete janë pjesë përbërëse e filozofisë së Fakultetit të Shkencave të Ushqimit në UBT, i cili fokusohet në ndërlidhjen e dijes teorike me praktikën reale në industri, duke përgatitur kuadro të afta për tregun vendor dhe ndërkombëtar të punës. Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me biznese dhe kompani lidere në sektorin ushqimor, UBT u ofron studentëve mundësi reale për zhvillim profesional dhe karrierë të qëndrueshme.

Vizitat studimore të tilla përforcojnë rolin e UBT-së si institucion i arsimit të lartë që promovon mësimdhënien praktike, inovacionin dhe partneritetin me industrinë, duke krijuar ura të forta ndërmjet akademisë dhe ekonomisë vendore.