Studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT fitojnë vendin e parë në garën “Stock Market Learning Competition”

16/03/2026

Studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke fituar vendin e parë në garën edukative ndërkombëtare “Stock Market Learning Competition”, e organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në bashkëpunim me Deutsche Sparkassenstiftung für Internationale Kooperation e.V. in Kosovo (DSIK Kosovo).

Kjo garë, e cila është pjesë e programit ndërkombëtar “Stock Market Learning”, synon të rrisë edukimin financiar të studentëve dhe të zhvillojë njohuritë e tyre praktike mbi funksionimin e tregjeve të kapitalit dhe procesin e investimit.

Ekipi fitues nga UBT përbëhej nga studentët Harun Munishi, Olsa Fejzullahu, Ylli Ahmetxhekaj dhe Erisa Shaqiri, të cilët përmes analizës së tregjeve financiare dhe vendimmarrjes strategjike në një mjedis simulues arritën të ndërtojnë portofolin më të suksesshëm investues në këtë garë.

Gara u zhvillua nga tetori 2025 deri në janar 2026, ku studentët morën pjesë në një platformë virtuale e tregtimit, duke menaxhuar një portofol investimesh me fonde virtuale dhe duke tregtuar instrumente financiare reale si aksione, obligacione dhe fonde investimi. Në këtë edicion morën pjesë 42 studentë nga tetë fakultete të ekonomisë në Kosovë, duke e bërë konkurrencën edhe më sfiduese.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt në ambientet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në praninë e përfaqësuesve institucionalë dhe akademikë. Në këtë aktivitet morën pjesë Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili, Drejtori Menaxhues i Sparkassenstiftung, z. Niclaus Bergmann, Zëvendësambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, z. Christian Böttcher, si dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe Dekani i Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Dr. Muhamet Gërvalla, së bashku me përfaqësues të institucioneve financiare, universiteteve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, falënderoi organizatorët për këtë iniciativë, duke theksuar rëndësinë e aktiviteteve të tilla për zhvillimin praktik të studentëve në fushën e financave dhe tregjeve të kapitalit.

“Tregjet financiare janë sisteme shumë komplekse dhe nuk ekziston një model i vetëm matematikor që mund të kopjohet dhe të zbatohet për t’i kuptuar plotësisht ato. Prandaj, për studentët është thelbësore që përmes iniciativave të tilla të mësojnë në mënyrë praktike dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre në analizë dhe vendimmarrje. Bashkëpunimi me institucione si Banka Qendrore e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë krijon mundësi të rëndësishme për të avancuar kërkimin, inovacionin dhe përdorimin e teknologjisë në studimin e tregjeve financiare”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Ky sukses dëshmon përkushtimin e studentëve të UBT-së dhe cilësinë e programeve studimore të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në zhvillimin e njohurive praktike dhe analitike në fushën e financave, investimeve dhe tregjeve të kapitalit.

UBT vazhdon të mbështesë iniciativat që lidhin teorinë me praktikën dhe që përgatisin studentët për sfidat e ekonomisë moderne dhe tregjeve financiare globale.