Studentët e Fakultetit MBE të UBT-së zhvillojnë vizitë studimore në “Viva Fresh Store” – përvojë e drejtpërdrejtë me sfidat dhe sukseset e biznesit modern në Kosovë

04/06/2025

Në kuadër të lëndëve Marketing, Menaxhimi i Projekteve dhe Projekt, studentët e vitit të parë dhe të tretë të Fakultetit të Menaxhimit, Biznesit dhe Ekonomisë (MBE) të UBT-së, të udhëhequr nga profesoresha Gonxhe Beqiri dhe profesoresha Ermira Shehu, realizuan një vizitë studimore në kompaninë e njohur vendore Viva Fresh Store, konkretisht në zyret kryesore dhe qendrën logjistike të saj në Lipjan.

Kjo vizitë përbën një ndërthurje të rëndësishme të teorisë me praktikën, duke u ofruar studentëve një përvojë unike për t’u njohur nga afër me strukturën organizative, proceset e brendshme të menaxhimit dhe qasjet e avancuara të marketingut që kanë kontribuar në suksesin e kësaj ndërmarrjeje lider në sektorin e shitjes me pakicë në Kosovë.

Gjatë vizitës, studentët patën nderin të takohen me themeluesin dhe CEO-n e kompanisë, z. Xhevdet Rexhepi, si dhe me përfaqësues të departamenteve kyçe si ai i Burimeve Njerëzore, Marketingut dhe Logjistikës. Në një atmosferë të hapur dhe interaktive, studentëve iu prezantuan aspektet praktike të funksionimit të kompanisë, sfidat me të cilat është përballur që nga themelimi, dhe strategjitë që janë ndjekur për të ndërtuar një brand të qëndrueshëm dhe të besueshëm.

Përgatitje për tregun e punës dhe lidhja me industrinë

Një pjesë e veçantë e vizitës iu kushtua temave të punësimit dhe praktikës profesionale për studentët e UBT-së. Përfaqësues të departamentit të Burimeve Njerëzore ndanë me studentët informacione të rëndësishme mbi procedurat e rekrutimit, aftësitë dhe kompetencat që kërkohen nga kandidatët, si dhe mundësitë që ofrohen për përfshirje në akademitë e trajnimit të organizuara nga kompania.

Studentët treguan interes të lartë, duke parashtruar pyetje rreth vizionit strategjik të Viva Fresh Store, aplikimit të inovacionit dhe digjitalizimit në proceset e përditshme, zhvillimit profesional të stafit dhe angazhimit të kompanisë në përgjegjësi sociale.

Zhvillimi i kompetencave profesionale përmes përvojës në terren

Vizita përfundoi me një tur në ambientet operative të qendrës logjistike të Viva Fresh Store, ku studentët patën mundësinë të shohin nga afër funksionimin praktik të logjistikës moderne, proceset e menaxhimit të stokut, sistemet e furnizimit dhe ofrimin e shërbimit ndaj klientit – duke i lidhur drejtpërdrejt konceptet akademike me përvojën reale të menaxhimit të një ndërmarrjeje komplekse.

UBT, përmes aktiviteteve të tilla, afirmon qasjen e tij praktike ndaj mësimdhënies dhe përgatitjes së studentëve për tregun real të punës. Fakulteti MBE mbetet i përkushtuar për të ofruar jo vetëm dije teorike të avancuar, por edhe përvoja reale që nxisin të menduarit kritik, analizën e tregut dhe ndërtimin e kapaciteteve të lidershipit.