
Studentet e Fakultetit Juridik të UBT-së marrin pjesë në Forumin Ndërkombëtar “Gratë, Paqja dhe Siguria” – Promovim i dijes dhe përgatitjes për sfidat e së ardhmes
04/06/2025Nën shoqërimin e prof. Egzone Osmanaj, prodekane në Fakultetin Juridik të UBT-së, studentet e vitit të katërt morën pjesë në Forumin Ndërkombëtar “Gratë, Paqja dhe Siguria”, i cili u organizua nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Ky forum përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në nivel vendi dhe rajonal, me fokus në fuqizimin e rolit të gruas në procese paqësore dhe ndërtimin e sigurisë globale.
Pjesëmarrja në këtë forum i ofroi studenteve një mundësi të jashtëzakonshme për të thelluar njohuritë e tyre në një fushë të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut. Gjatë diskutimeve dhe paneleve të organizuara, ato patën rastin të ndjekin nga afër fjalimet e përfaqësueseve të institucioneve të larta vendore dhe ndërkombëtare, si dhe të angazhohen në rrjete të rëndësishme profesionale me eksperte nga fusha e drejtësisë, diplomacisë dhe sigurisë.
Ky aktivitet është një dëshmi konkrete e angazhimit të UBT-së dhe Fakultetit Juridik për të përgatitur juristë të rinj të gatshëm të kontribuojnë në çështje me rëndësi globale. Përmes përfshirjes aktive në ngjarje të tilla, studentët nuk vetëm që zhvillojnë kompetenca akademike dhe praktike, por edhe ndërtojnë një vizion të gjerë për rolin që mund të kenë në zhvillimin e shoqërisë.
UBT vazhdon të mbështesë dhe inkurajojë pjesëmarrjen e studentëve në forume, konferenca dhe trajnime të niveleve të ndryshme, duke e konsideruar këtë si pjesë thelbësore të filozofisë së tij arsimore – përgatitjen e profesionistëve të dijes, të aftë për të qenë bartës të ndryshimit dhe liderë në fushën e drejtësisë dhe më gjerë.