Studentët e programit Art dhe Media Digjitale në UBT realizuan një vizitë studimore në hapësirat e 7 Arte dhe Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë, në kuadër të aktiviteteve akademike që synojnë lidhjen e teorisë me praktikën artistike dhe kulturore.
Gjatë kësaj vizite, studentët u mirëpritën nga përfaqësuesit e këtyre institucioneve kulturore, ku njëkohësisht ka nisur edhe organizimi i një pop-up ekspozite, e cila do të shtrihet në dy hapësira të ndryshme ekspozuese. Për këtë ekspozitë, studentët kanë filluar realizimin e punimeve artistike në studiot e UBT-së, duke zhvilluar koncepte bashkëkohore dhe multidisiplinare.
Tematika e punimeve është e ndërlidhur ngushtë me ngjarje aktuale, duke reflektuar mbi çështje të rëndësishme të aktualitetit shoqëror dhe kulturor, përmes formave të ndryshme të shprehjes artistike dhe medias digjitale.