Studentët e arkitekturës në UBT, prezantojnë projekte për hapësira urbane të Deçanit e Lipjanit

28/06/2018

 

Studentët e vitit të tretë, në Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, kanë prezantuar projektet e ndërlidhura me hapësirat urbane të qytetit të Deçanit dhe Lipjanit, punime këto të cilat kanë qenë detyrë semestrale.

Projektet e studentëve janë punuar në kuadër të lëndës “Planifikimi Urban”, ligjëruar nga profesori Binak Beqaj, sipas të cilit, këto punime janë cilësore dhe të strukturuara mirë sepse janë punuar në bazë të analizës dhe vlerësimit të gjendjes në terren, ku studentët kanë shqyrtuar opsionet planifikuese dhe rregulluese të hapësirave komunale.

Punimet më të mira të studentëve do të identifikohen, ku në prani të kryetarit të komunës dhe zyrtarëve tjerë komunal, do të prezantohen në Deçan.
Këto projekte veç tjerash do të shërbejnë edhe si koncepte bazë ku mund të tërheqin shumë investime të reja në komunë.

Ditë më parë, përfaqësuesit e UBT-së dhe të komunës së Deçanit, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim të krijimit të mundësive për përkrahje zhvillimore të të dyja institucioneve.

Marrëveshja është iniciuar nga prof. dr Binak Beqaj dhe parasheh ndërtimin e kapaciteteve institucionale, kryerjen e hulumtimeve të përbashkëta, zhvillimin e pilot projekteve, trajnime, organizimin e takimeve afariste dhe vizitave afaristëve kosovarë jashtë vendit, etj.