
Studentë të Shkencave Politike nga Clemson University (ShBA) vizituan UBT-në dhe zhvilluan diskutime me studentët e Studimeve të Sigurisë
22/05/2025Në kuadër të bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe shkëmbimeve akademike, një grup studentësh të Shkencave Politike nga Clemson University, ShBA, të shoqëruar nga profesori i njohur amerikan Jeffrey Peake, realizuan një vizitë studimore në UBT, ku u pritën nga studentët dhe stafi i programit Studime të Sigurisë.
Qëllimi i kësaj vizite ishte të nxitë njohjen e realitetit politik, historik dhe të sigurisë në Kosovë, përmes interaksionit të drejtpërdrejtë ndërmjet studentëve amerikanë dhe atyre kosovarë. Diskutimet e zhvilluara në formë dialogu të hapur, shkëmbyen njohuri mbi sfidat dhe mundësitë që përballen të dy vendet në fushën e sigurisë, politikës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve diplomatike.
Gjatë takimit, studentët nga ShBA shprehën interes të veçantë për procesin e shtetndërtimit të Kosovës, rolin e institucioneve të sigurisë, sfidat e politikës së jashtme, si dhe kontributin e Kosovës në paqen dhe stabilitetin rajonal. Nga ana tjetër, studentët e UBT-së ndanë perspektivat e tyre mbi bashkëpunimin ndërkombëtar, sigurinë globale, dhe rolet që vendet e vogla mund të kenë në një botë multipolare.
Profesori amerikan Jeffrey Peake, i cili është i specializuar në politikën e jashtme amerikane dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, theksoi rëndësinë e mësimit përmes përvojave ndërkulturore dhe vlerësoi nivelin e përgatitjes dhe angazhimit të studentëve të UBT-së.
Vizita u konsiderua një mundësi e shkëlqyer për ndërtimin e urave të bashkëpunimit akademik, për të nxitur dialogun ndërkombëtar, si dhe për të thelluar mirëkuptimin mbi çështjet aktuale të sigurisë dhe politikës globale.
UBT, në vazhdimësi, mbetet një hapësirë e hapur për bashkëpunime me universitete nga mbarë bota, duke krijuar një ambient të pasur për mësim, hulumtim dhe ndërveprim ndërkombëtar, në shërbim të përgatitjes së studentëve për sfidat e kohës moderne.