Studentë të MBE-së – Programi ’Ndërmarrësi dhe Inovacion’ vizituan kompani të suksesshme

20/07/2016

Ndonëse Akademia Ndërkombëtare Verore e Kolegjit UBT-së, zyrtarisht i ka mbyllur punimet më 15 korrik, aktivitetet e ndonjë fakulteti kanë vazhduar edhe të shtunën, më 16 korrik. Kështu, studentët e MBE-së – Programi ’Ndërmarrësi dhe Inovacion’ ka vizituar kompanitë e Kosovës, si “Meridian”, “Jaha Endergy” dhe “Rugove”. Gjatë vizitës në korporatën ‘Meridian’, studentët, të udhëhequr nga profesorët Albulena Jahja dhe Ermal Lubishtani, fillimisht takuan njërin nga pronarët, z. Raif Gashi. Ai i njoftoi ata me mënyren e operimit të kësaj korporate, si dhe u dha mundësi të shohin nga afër procesin e prodhimit në ‘Buka Bakery’. Më pas studentët vizituan kompaninë ‘Jaha Energy’, një kompani e re në Kosovë, e cila po bëhet rrëfim suksesi. Gjatë vizitës studentët patën mundësinë të shihnin procesin e prodhimit të paneleve solare.


Vizita e tretë u realizua në Korporatën ‘Rugove’. Studentët u njoftuan se si mbushet uji nga burimi, si dhe panë nga afër prodhimin e djathit natyral.


Gjatë vizitave, përfaqësuesit e kompanive u shprehën të gatshëm për bashkëpunime të mëtejmë me Kolegjin UBT, si dhe ofruan mundësi punësimi për pjesëmarrësit. Në fund të vizitave, pjesëmarrësve të ANV-së, u janë shpërndarë certifikata.