
Stafi i UBT-së prezanton në Pragë rreth “Transforming Underused Public Spaces Through Ephemeral Architecture”
05/06/2025Stafi i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, Dr. Lulzim Beqiri dhe Guri Berisha, morën pjesë në Konferencën e 13-të Ndërkombëtare “Regional Development Between Theory and Practice”, e organizuar nga Masaryk Institute of Advanced Studies në kuadër të Czech Technical University në Pragë.
Konferenca e sivjetme, me temën “Addressing Socio-Economic Disparities in Times of Uncertainty”, mblodhi akademikë, studiues dhe ekspertë nga vende të ndryshme për të trajtuar sfidat dhe mundësitë e zhvillimit rajonal në periudha të pasigurisë socio-ekonomike.
Në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, profesori Beqiri dhe Guri Berisha prezantuan punimin shkencor me titull: “Transforming Underused Public Spaces Through Ephemeral Architecture: The Case of the Istog Marketplace”.
Punimi trajton një qasje inovative për rigjallërimin e hapësirave të nënshfrytëzuara publike përmes arkitekturës efemere, me fokus të veçantë në tregun e qytetit të Istogut si një rast studimi. Ky hulumtim paraqet një model të aplikueshëm për zhvillimin e qëndrueshëm urban dhe aktivizimin e hapësirave në shërbim të komunitetit.
Profesori Lulzim Beqiri, njëherësh edhe anëtar i komitetit shkencor të konferencës për të tretin vit me radhë, vazhdon të japë një kontribut të çmuar në nivel ndërkombëtar në fushën e planifikimit hapësinor dhe zhvillimit rajonal. Pjesëmarrja e tij në komitetin shkencor është një dëshmi e reputacionit profesional dhe cilësisë së lartë të ekspertizës që UBT përfaqëson.
Pjesëmarrja e vazhdueshme e profesorëve të UBT-së në konferenca ndërkombëtare si kjo, jo vetëm që promovon dijen dhe eksperiencën e tyre, por njëkohësisht forcon pozicionin e UBT-së si institucion lider në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Kosovë dhe rajon.
UBT mbetet e përkushtuar në mbështetjen e stafit akademik për të qenë pjesë aktive e rrjeteve ndërkombëtare të dijes dhe inovacionit, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit përmes ideve të reja dhe qasjeve bashkëkohore.