Siguria – sfidë për Kosovën dhe sfidë globale

03/02/2016

3 shkurt. – Organizua nga UBT dhe Shoqata Austriake-Kosovare, të mërkurën u mbajt Konferenca me temën “Dita Austriake- Kosovare e Sigurisë së Mençur” (Austrian Kosovo Smart Security Day),  në të cilën morën pjesë një numër i madh i personaliteteve të shquara nga shteti i Austrisë dhe ai i Kosovës, si dhe profesorë e studentë të Kolegjit UBT.                             

                                         

Konferenca u moderua nga Gunther Fehlinger,  president i OeKG-së. Ajo nisi me fjalimin e ish-anëtarit të Parlamentit Austriak dhe presidentit të Shoqatës Austriake-Kosovare, Ëolfgang Grossruck, i cili falënderoi UBT-në për organizimin e konferencës, dhe tha se siguria është një  sfidë globale për të gjitha shtetet e botës. Ai përmendi edhe sigurinë e brendshme të Kosovës si një faktor shumë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e banorëve.

Grossruck më tutje  theksoi: “Ne jemi duke e mbështetur Kosovën dhe duke sjellë eksperienca të reja për punët  vullnetare, ashtu siç bëhen edhe në Austri”.

Kurse, pas përfundimit të fjalimit të tij, moderatori Fehlinger përmendi kontributin e madh të Grossruck-it në kampanjën “Say Yes To Kosova”.

Fjalimi tjetër u mbajt nga deputeti i Parlamentit të Kosovës, Daut Haradinaj. Ai tha se kriza politike në Kosovë një ditë do të marrë fund dhe se në parlament do të diskutohet për sigurinë e përgjithshme dhe shndërrimin e FSK-së në ushtri.

“Në mënyrë që Kosova të pranohet në NATO, duhet të bëhet themelimi i ushtrisë dhe shembulli më i mirë që duhet ndjekur është Shqipëria”, tha Haradinaj.                                                                             

Vazhda e fjalimeve vijoi me prezantimin e Drejtorit të Akademisë Policore në Vushtrri, Ismail Smakiqi, i cili tregoi sukseset që ka arritur me krijimin e programeve bachelor për çështjet e sigurisë, nga ku deri tash kanë dalë dy gjenerata të diplomuara.                                                                                                                                                         

Në konferencë foli edhe Ismail Lauka, ish-ambasador i Shqipërisë në Kosovë, i cili shtroi dy probleme me të cilat po përballet aktualisht Kosova e që janë terrorizmi dhe Rusia, si pengesë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat më të rëndësishme.

 

Ai tha se Kosova nuk është pjesë e asnjë organizate për siguri dhe kjo i ka edhe pasojat e veta, sepse Kosova dhe Shqipëria, pa vullnetin e tyre, “po cilësohen si  kontribuuese për zhvillimin e terrorizmit apo edhe vende transite, përmes së cilave po kalojnë ushtarë të ISIS-it”.

Z.Lauka përmendi edhe mënyrën se si shtetet tona po konsiderohen nga mediat e huaja, me ç’rast përmendi mediat britanike, sipas të cilave shqiptarët nuk dinë gjë tjetër përveç terrorizmit, e që sipas Laukës kjo është e pavërtetë  dhe e pabazuar në fakte pasi që Kosova ka aktualisht në luftë 70 veta e Shqipëria akoma më pak. Më tutje ai tregoi edhe problemin e Rusisë, më konkretisht politikën dhe qëndrimin e saj karshi Kosovës, ku ai përmendi rastin e aneksimit të Krimesë, të cilën Rusia e njohu me të drejta të plota, mirëpo jo edhe Kosovën. Dhe, krejt në fund kërkoi nga BE-ja të jetë më e qëndrueshme në fjalët e vendimet që merr për Kosovën sidomos në çështjen e liberalizimit të vizave, të cilat e kanë lënë popullin e Kosovës më të izoluarin në rajon.                                                                                                                                             

Në fjalimin e mbajtur nga Florian Qehaja, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Studime të Sigurisë, u theksua bashkëpunimi i ngushtë që ka Kosova me shtetin e Austrisë në aspektin e sigurisë. Ai përmendi edhe rreziqet që i kanosen shoqërisë kosovare si pasojë e mospranimit në organizata të rëndësishme siç ishte rasti i UNESCO-s apo edhe i Konventës së Policisë, e po ashtu edhe mospranimi i Kosovës në NATO.

Qehaja përmendi edhe korrupsionin. ”Një faktor tjetër që e dëmton rëndë imazhin e sigurisë së Kosovës është edhe shkalla e lartë e korrupsionit nëpër institucionet tona, dukuri, e cila duhet të luftohet”, tha Qehaja.                                                                                                                                                                                                                                 

Fjalim mbajti edhe Josef Schëarrzmansseder, si pjesëmarrës tejet i rëndësishëm i kësaj konference, i cili ofroi modelin austriak për mënyrën e funksionimit të brigadës së zjarrfikëseve vullnetarë. Sipas tij, edhe Kosova duhet ta ndjekë një model të tillë.  Ai tha se nuk është vetëm ushtria ajo që ndikon në rastet emergjente, por kontributin më të madh e japin kuadrot vullnetare që i kontribuojnë shtetit, e të cilat në rastet e zjarreve intervenojnë më së largu brenda tetë minutave dhe si rezultat i kësaj dëmet janë shumë më të vogla.                                                                                                                                                                                              

Konferenca vijoi me fjalimin e mbajtur nga Rifat Marmullaku, zyrtar i OSCE-së. Ai  theksoi rolin e rëndësishëm të sigurisë në jetën e qytetarëve të një shteti si dhe rolin e madh që luan OSCE-ja në këtë aspekt.                                                                                                                                        

Marmulaku më tutje theksoi se “sfidë e rëndësishme për të  gjitha shtetet është komunikimi  si dhe qasja në botën digjitale që është sfidë jo vetëm për shtetet e vogla por edhe për fuqitë botërore”. Sipas tij, çdo i dyti banor në botë ka qenë viktimë e vjedhjes së informatave personale.

 

Konferenca përfundoi me fjalimin e Mentor Hoxhës, mbikëqyrës shtetëror, i cili e quajti sigurinë si një sfidë të rëndësishme për vendin tonë.