Shkencat Kompjuterike, profesion që po thyen stereotipat gjinorë në Kosovë

18/12/2020

Shumë gra zgjedhin të mos ndjekin studimet në shkencat kompjuterike, shkaku i stereotipave të krijuara, perceptime që i sfidojnë dhe i ndalojnë ato në formimin e karrierës profesionale.

 

Por, kjo nuk ka penguar shumë gra tjera që të jetësojnë ëndrrën e tyre, teksa aftësitë në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, i shndërruan në rol që formësojnë shoqërinë.

 

Krahas rritjes së shpejtë të kësaj fushe, po rritet edhe interesimi dhe përzgjedhja si profesion për të studiuar në UBT, ku suksesshëm studentet po arrijnë të kenë edhe karrierë në sektorin e ICT-së.

 

Shumë të diplomuara në këto drejtime në UBT, tani më udhëheqin biznese inovative, punojnë në kompani të ndryshme botërore, janë angazhuar në pozita koordinuese, udhëheqëse dhe si staf akademik e administrativ, por edhe janë të angazhuara në shumë institucione shtetërore.

 

Vesa Morina ka mbaruar studimet në Fakultetin Shkenca Kompjuterike në UBT. Ajo tashmë është punësuar në UBT, në pozitën e asistentes, teksa ka qenë pjesë e programit Erasmus+ në Universitetin “Nova de Lisboa”, në Portugali.

 

Ajo theksoi se të studiosh në Shkenca Kompjuterike është një vendim i qëlluar, ngaqë mbi gjitha është fitimprurës. Sipas saj, në kohën moderne ky drejtim nuk duhet të klasifikohet si profesion i meshkujve, për siç tha, sepse edhe gratë kanë aftësi profesionale.

 

“Në institucionin ku ligjëroj ka numër të madh të studentëve të gjinisë mashkullore, por viti në vit po shkojmë drejt një kuptimi se nuk është profesion i gjinisë, por i aftësive që posedon personi në zgjidhjen e problemeve. Përderisa keni aftësitë e duhura për të përfunduar punën me sukses në vendet me ambient të punës, nuk duhet të këtë paragjykime, ose të paktën unë kam pas fatin të mos kem një përvojë të tillë në ambientet e punës të deri më tanishme”, potencoi ajo.

 

Tutje, Vesa tha se gratë duhet të kyçen në këtë drejtim, të realizojnë ëndërrën e tyre dhe të sistemohen në vende pune brenda dhe jashtë vendit.

 

“Inkurajoj të gjithë, por sidomos vajzat të kyçen në këtë drejtim, i cili është një drejtim me shumë sfida por kënaqësia pas përfundimit të punës e tejkalon çdo lodhje që mundesh me has gjatë rrugës. Ndjehet nevoja për sa më shumë vajza në fushën e teknologjisë, dhe gjithçka që ju nevojitet është vendosmëria dhe vetëbesimi”, tha ajo.

 

Rrugëtim të suksesshëm profesional pati edhe ish-studentja Diellza Berisha. Ajo mbaroi studimet për Shkenca Kompjuterike në UBT, ndërkaq sot ajo në pozitën e ligjërueses së lëndëve të matematikës dikrete, hyrje në algoritme, inxhinieri e web-it, simulim dhe vizualizim, po i përcjell njohuritë tek studentët e rinj në UBT.

 

“Frymëzimi dhe ideja për të filluar studimet në fushën e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, në nivelin BSc, e pastaj edhe në nivelin MSc, ka qenë se kjo fushë është bërë pjese e pandashme e jetesës individuale dhe shoqërore në tërësi. Të gjitha aktivitetet punuese, kreative dhe prodhuese tani janë të mbështetura direkt ose indirekt nga teknologjia informative dhe si e tillë ka nevojë të zhvillohet dhe avancohet në mënyrë të vazhdueshme”, tha ajo.

 

Diellza tha se UBT i ofroi gjitha mundësitë, si në pjesën akademike dhe në aspektin e infrastrukturës, që ajo të gëzojë sukseset e deritanishme. Ajo tregoi se ka injoruar paragjykimet e mundshme, teksa ishte fokusuar vetëm në profesionin që kishte zgjedhur, e që është ndër  profesionet më të kërkuara në botë.

 

“Fillimisht shkencat elektro-teknike janë konsideruar në një mënyrë si profesion më tepër ‘mashkullore’. Në kohën kur unë jam regjistruar në këtë institucion, në gjeneratën tonë numri  gjinisë femërore ka qenë pothuajse formal, teksa sot gjërat kanë ndryshuar. Numri është disa here me i lartë që tregon se ka filluar të kuptohet me drejt roli në ketë drejtim t edukimit dhe mundësive të tërësishme që ofron kjo fushë”, theksoi Diellza.

Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, është më i madhi i kësaj fushe në vend dhe rajon, pasuar nga Fakulteti Sistemet e Informacionit dhe Menaxhim i Makaronikes, ku janë programe që çdo vit pranojnë qindra studente femra, numër që vazhdon të rritet nga viti në vit.

 

Deri më sot, mbi 2 mijë studente që kanë filluar ndërtimin profesional në fushën e teknologjisë në këtë institucion, të cilat konkretisht po zhvillojnë aftësitë e tyre në infrastrukturë moderne dhe në laboratorët më të sofistikuar të teknologjisë informative dhe robotikës.