
Seancë Simuluese në Fakultetin Juridik të UBT-së: Praktika si bazë për formimin e juristëve të ardhshëm
28/05/2025Në kuadër të përkushtimit të UBT-së për të ofruar arsim cilësor dhe të orientuar drejt praktikës, në Fakultetin Juridik është zhvilluar një seancë simuluese mjaft domethënëse në lëndën “E Drejta Familjare-Trashëgimore”, e udhëhequr nga Prof. Jorida Xhafaj. Kjo seancë u organizua me studentët e vitit të dytë dhe u zhvillua në ambientet e UBT-së, duke sjellë përvojën e gjykatës në klasë.
Pjesë e këtij aktiviteti praktik ishin edhe noteret e njohura Arbena Shenu dhe Learta Cana, të cilat përveç prezencës së tyre profesionale, ndihmuan në simulimin e procedurës për çeljen e trashëgimisë, duke ndarë me studentët përvojat e tyre nga praktika e përditshme noteriale. Kjo përballje direkte me realitetin e punës ishte një mundësi e jashtëzakonshme për studentët për të parë nga afër rrjedhën e një procesi të tillë dhe për të kuptuar rolin kyç të noterit në çështjet trashëgimore.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte të forcojë aftësitë praktike të studentëve dhe të thellojë kuptimin e tyre përmes situatave të bazuara në raste reale, duke lidhur në mënyrë efektive teorinë me praktikën. Studentët morën role të ndryshme në seancë – nga përfaqësues ligjorë e deri te palët trashëgimore – duke i vënë në provë njohuritë e tyre dhe duke përjetuar një përvojë të drejtpërdrejtë të vendimmarrjes juridike.
Ky është vetëm një nga shembujt e qasjes praktike që Fakulteti Juridik në UBT ndërmerr për të përgatitur juristë të denjë dhe të gatshëm për tregun e punës. Përmes aktiviteteve të tilla, programi synon të zhvillojë kompetencat analitike, argumentuese dhe etike të studentëve, duke i pajisur ata me aftësitë që kërkohen në sistemin juridik modern.
Fakulteti Juridik në UBT ofron një program të plotë dhe bashkëkohor studimi, me theks të veçantë në përgatitjen profesionale të studentëve dhe integrimin e tyre të suksesshëm në institucione publike dhe private.