“Rruga drejt Pearl Harbor” – Alban Dervishi sjell një histori suksesi në UBT
01/04/2026Alban Dervishi, Komandant i Flotës Amerikane, qëndroi për vizitë në UBT, ku mbajti një ligjëratë tematike me studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë dhe Shkencave Politike.
Gjatë këtij takimi, ai ndau me studentët përvojën e tij profesionale dhe rrugëtimin drejt suksesit në një nga institucionet më të rëndësishme ushtarake në botë, duke sjellë një perspektivë unike mbi sfidat, përkushtimin dhe vlerat që e kanë shoqëruar në këtë rrugë.
Ky organizim u realizua në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Albanian Institute of Cultural Studies (AICS) dhe UBT-së, duke sjellë përpara studentëve një rrëfim inspirues që lidh përvojën personale me zhvillimin profesional në një kontekst ndërkombëtar.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vlerësoi rëndësinë e organizimeve të tilla për studentët, duke theksuar se UBT mbetet i përkushtuar në sjelljen e përvojave reale dhe modeleve inspiruese që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e tyre akademik dhe profesional.
Gjatë bashkëbisedimit, Alban Dervishi ndau detaje nga rrugëtimi i tij drejt flotës amerikane, duke vënë theks të veçantë te rëndësia e meritokracisë dhe përkushtimit në arritjen e suksesit.
“Është shumë e rëndësishme të jesh pjesë e organizatave ku meritokracia vlerësohet. Në ushtrinë amerikane kjo është thelbësore, ajo që ka rëndësi është kontributi që jep, dhe pikërisht mbi këtë ndërtohet vlerësimi”, u shpreh Dervishi.
Ai gjithashtu ndau një mesazh të fuqishëm për studentët, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe identitetit kombëtar:
“Ne mund të vijmë nga krahina të ndryshme, me fe të ndryshme, por ajo që na bashkon është se jemi shqiptarë”.
Dervishi foli edhe për sfidat dhe emocionet që sjell emigrimi, duke e cilësuar atë si një përvojë të thellë, por që kërkon forcë dhe përkushtim për t’u integruar dhe për të ndërtuar një identitet të ri pa humbur rrënjët.
Një tjetër mesazh i rëndësishëm i tij ishte për rolin e brezave të rinj dhe institucioneve arsimore:
“Dedikimi ynë është që të gjithë përvojën ta kalojmë te gjenerata e re. Janë pikërisht institucione si UBT që mbajnë mbi supe të ardhmen, ndërsa studentët janë ata që do ta çojnë përpara këtë rrugëtim”.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e AICS, Elona Gjata, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe rolin e të rinjve në ndërtimin e së ardhmes:
“Ju jeni e ardhmja e vendit, e Kosovës dhe e kombit. Ky organizim na ka bërë bashkë përmes një figure të rëndësishme në flotën amerikane, por mbi të gjitha një shqiptar. Ju jeni liderë në fushën akademike, ashtu siç janë edhe studentët liderë të së nesërmes”.