Riciklimi i qelqit, një investim shumë profitabil në Kosovë

16/02/2015

Studentët e UBT-së, Florian Piraj, Njazi Shehu, Përparim Salihu e Uran Çabra, të gjithë në vitin e tretë në drejtimin Menaxhimi i Mekatronikës, si dhe Mimoza Braha, në vitin e tretë në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, zunë vendin e parë në garën e organizuar në kuadër të Projektit për Ndërmarrësi të përkrahur nga Ambasada e SHBA në Prishtinë. Biznes-plani i emërtuar “Glass Recycling” shpalos idenë për krijimin e një kompanie prodhuese dhe ricikluese të ambalazheve të pijeve, ushqimit, farmaceutike dhe kozmetike.

Florian Piraj, në emër të anëtarëve të grupit, flet për projektin.

 

UBT News: Ju keni zënë vendin e parë me biznes-planin e emërtuar “Glass Recycling”. Si lindi ideja për këtë temë dhe kush ishin anëtarët e tjerë të grupit?


Piraj: Ne jemi zgjedhur si biznes-plani më i miri në mesin e më se 40 punimeve, një konkurrencë e denjë nga të gjithë studentët, që nuk e bëri të lehtë fitoren tonë. Kompania “Glass Recycling” është kompani prodhuese dhe ricikluese e ambalazheve të pijeve, ushqimit, farmaceutike dhe kozmetike. Ideja e këtij biznes-plani na lindi duke i parë rrethanat në të cilat po jetojmë në Kosovë dhe sfidat ekologjike dhe shëndetësore që po kalon bota si pasojë e papastërtisë, rrezikimit të shëndetit, dhe një jete me një ambient jo të pastër. Prandaj, duke e marrë qelqin si bazë, i cili është 100% ekologjik dhe nuk e dëmton ambientin, ruan shëndetin e njerëzve në krahasim me dëmet që shkakton plastika dhe riciklohet 100 për qind.

Biznes plani “Glass Recycling” paraqet krijimin e një biznesi me karakter prodhues dhe riciklues dhe kjo paraqet dy nga pikat kryesore për të cilën jemi fokusuar. Kosova ka nevojë për një rritje ekonomike, për shkak të papunësisë së madhe, kështu që Kompania ”Glass Recycling” paraqet një mundësi për punësimin e njerëzve brenda Kosovës, ndërsa mundëson ruajtjen e ambientit dhe krijimin e kushteve për një jetë sa më të shëndetshme, gjë që është një prej gjërave primare në botën perëndimore, që po lufton me gjërat negative të cilat po e dëmtojnë ambientin dhe shëndetin e njerëzve.

 

UBT News: Cilët faktorë ndikuan në përzgjedhjen e temës?

 

Piraj: Faktorët që kanë ndikuar që të orientohemi në një biznes të tillë prodhues dhe riciklues përfshijnë dy pika kryesore: Në pikën e parë jemi fokusuar me ndërmarrje për të cilat ka nevojë Kosova, d.m.th. ndërmarrje prodhuese e më pak ndërmarrje shërbyese për arsye të gjendjes ekonomike dhe papunësisë së madhe në të cilën gjendet Kosova. Andaj e kemi për detyrë që me këto projekte të gjenerojmë vende të reja të punës. Pika e dytë në të cilën jemi orientuar është ruajtja e ambientit dhe ruajtja e shëndetit të njerëzve, gjë që po synohet në maksimum të arrihet në vendet perëndimore të zhvilluara. Gjithashtu sfidën e bizneseve kosovare dhe në përgjithësi të vendeve të Ballkanit për eksportimin e produkteve të tyre jashtë Ballkanit, për arsye të mosplotësimit të standardeve të produkteve të tyre për ruajtjen e cilësisë së produkteve, ruajtjen e ushqimit, ruajtjen e shëndetit të popullatës dhe ruajtjen e ambientit. 

(Tekstin e plotë mund ta lexoni në numrin e ri të gazetës “UBT News)