
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i ftuar në Ditën Botërore të Akreditimit
10/06/2025Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Akreditimit, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ishte i ftuar si një nga figurat kyçe që ka kontribuar në themelimin dhe zhvillimin e infrastrukturës së cilësisë dhe akreditimit në Kosovë. Në adresimin e tij, Rektori Hajrizi ndau përvojën dhe angazhimin e tij profesional dhe akademik që nga fazat e para të standardizimit në vend, duke theksuar rëndësinë strategjike të integrimit të standardeve ndërkombëtare në fushat me interes vital për cilësinë e jetës dhe edukimit në përgjithësi.
Rektori Hajrizi vuri në pah mënyrën se si UBT ka inkorporuar standardet e cilësisë në të gjitha ciklet e studimit, përmes përfshirjes së tyre në kurikula, si dhe në zhvillimin institucional. Një ndër aspektet më të rëndësishme që u theksua ishte roli proaktiv i UBT-së në anëtarësimin dhe përfaqësimin e saj – dhe të entiteteve të tjera të themeluara nga Rektori – në organizata prestigjioze evropiane dhe ndërkombëtare të cilësisë, si një mënyrë për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe shkëmbim përvojash me partnerë globalë.
Drejtori i Drejtorisë së Akreditimit në MINT, në fjalën e tij, theksoi nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet e arsimit të lartë, duke kërkuar nga Rektori Hajrizi që studentët e UBT-së, të pajisur me njohuri bashkëkohore në fushën e menaxhimit të cilësisë dhe standardizimit, të angazhohen aktivisht në mbështetje të objektivave të Drejtorisë së Akreditimit në nivel vendi.
Në përmbyllje, prof. Hajrizi konfirmoi përkushtimin e tij personal, si dhe mbështetjen e plotë të komunitetit akademik që ai udhëheq, për të fuqizuar më tej rolin e akreditimit si mekanizëm thelbësor për garantimin dhe avancimin e cilësisë në arsimin e lartë, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar.
Në shënim të kësaj dite morën pjesë edhe anëtar të stafit akademik të UBT-së, Prof. Dr. Muhamet Ahmeti – Anëtar i Këshilt të Akreditimit në MINT dhe Prof. Dr. Fisnik Laha – Drejtor i Qendrës së Laboratorëve Testuese në UBT.