Rektori i UBT-së mori pjesë në Tech Fest

11/06/2025

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi mori pjesë në Tech Fest 2025, një ngjarje e madhe e organizuar nga London School në bashkëpunim me DKA dhe DKRS në Universitetin e Mitrovicës.

Në këtë ngjarje u diskutuan temat më të fundit mbi programimin, robotikën dhe inteligjencën artificiale.

Gjatë pjesëmarrjes së tij, Prof. Dr. Edmond Hajrizi foli për mundësitë e shumta që ofron tregu i punës në Kosovë dhe më gjerë, veçanërisht në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe inovacionit digjital.

Ai theksoi angazhimin e UBT-së për t’i përgatitur studentët dhe të rinjtë me aftësitë dhe njohuritë më të avancuara, duke i pajisur ata me kapacitete të nevojshme për t’u integruar me sukses në tregun e punës dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të rajonit.

Tech Fest 2025 mblodhi një grup të madh folësish të nivelit të lartë – nga drejtues institucionesh, CEO dhe inxhinierë, deri te ekspertë të edukimit dhe zhvillimit teknologjik. Ata ndanë përvojat dhe njohuritë e tyre, duke frymëzuar brezin e ri të profesionistëve në Kosovë.