Rektori i UBT-së merr pjesë në Kosova Health Forum 2025, duke theksuar rolin kyç të arsimit në zhvillimin e sektorit të shëndetësisë
11/12/2025Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në Kosova Health Forum 2025, ku u diskutuan zhvillimet, sfidat dhe transformimet e nevojshme për avancimin e sistemit shëndetësor në Kosovë. Gjatë forumit, Rektori Hajrizi solli perspektivën e arsimit të lartë si një komponent thelbësor në formimin e profesionistëve të shëndetësisë dhe në forcimin e kapaciteteve të sektorit.
Në fjalën e tij, Rektori Hajrizi theksoi se UBT ka luajtur një rol vendimtar në krijimin dhe zhvillimin e programeve të reja shëndetësore, duke ndërtuar kapacitete që dikur nuk ekzistonin në vend. Ai nënvizoi se Kosova ka bërë përparime të rëndësishme në harmonizimin e kurrikulave me standardet dhe direktivat ndërkombëtare, duke arritur një nivel që shpesh krahasohet me vendet evropiane.
“Kosova ka hyrë në një proces të rregullimit të sistemit arsimor dhe të kurrikulave me direktiva të veçanta që e përcaktojnë qartë strukturën e kompetencave, dhe në shumë raste kemi qenë më përpara se disa vende evropiane”, tha Rektori Hajrizi.
Ai foli gjithashtu për sfidat aktuale të tregut të punës në sektorin shëndetësor, duke theksuar se rritja e kërkesës për profesionistë është ndikuar ndjeshëm nga situata në vendet evropiane, të cilat po përballen me plakjen e popullsisë dhe mungesën e fuqisë punëtore.

