Rektori Hajrizi në vizitë zyrtare në Itali

16/12/2025

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, realizoi një vizitë zyrtare në Universitetin Teknik të Torinos (Politecnico di Torino), një ndër universitetet më prestigjioze në Itali dhe në botë, i njohur veçanërisht për rangimin e lartë dhe ekselencën akademike në fushën e arkitekturës.

Gjatë kësaj vizite, Rektori Hajrizi zhvilloi takime të rëndësishme me Zëvendës-Rektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Alberto Giuseppe Sapora, si dhe me udhëheqësen e Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar të këtij universiteti,  Elisa Armando. Në fokus të bisedimeve ishin mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fusha të ndryshme me interes akademik, shkencor dhe kërkimor.

Po ashtu, u diskutua edhe për përfshirjen dhe mbështetjen e studentëve të UBT-së, disa prej të cilëve tashmë kanë vazhduar studimet e tyre në Universitetin Teknik të Torinos, duke dëshmuar për cilësinë dhe përgatitjen akademike që ofron UBT.

Në veçanti, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në fushat e inxhinierisë automobilistike, energjisë, arkitekturës dhe inxhinierisë aerohapësinore. Në këtë kuadër, Rektori vizitoi edhe Muzeun Kombëtar të Automobilave, duke qenë se Torino konsiderohet një qendër e rëndësishme e industrisë automobilistike. UBT synon të zhvillojë dhe të forcojë më tej këtë fushë në bashkëpunim me institucionet akademike dhe industriale të Torinos.

Në kuadër të vizitës, Rektori i UBT-së vizitoi kampuset dhe infrastrukturën moderne të Universitetit Teknik të Torinos, ku gjithashtu prezantoi konceptin e Qytetit të Mençur (Smart City) dhe modelin e funksionimit të tij, një fushë me interes të veçantë akademik dhe praktik për të dy institucionet.

Kjo vizitë u realizua falë kontributit dhe angazhimit të profesoreshës së gjuhës italiane në UBT, Rafaella Rittuci, e cila luajti një rol të rëndësishëm në lehtësimin dhe organizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.