
Rektori Hajrizi në Itali: Viziton Bologna Business School, drejt bashkëpunimeve akademike dhe shkencore
20/05/2025Gjatë vizitës së tij zyrtare në Itali, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, zhvilloi një takim me Prof. Emanuele Bajo, Drejtor i Bologna Business School (BBS) – shkollë e njohur për studimet e avancuara në fushën e menaxhmentit, ekonomisë dhe inovacionit në ndërmarrësi.
Në këtë takim u prezantuan programet e avancuara të UBT-së, të cilat ndërthurin teorinë me praktikën, duke fuqizuar kapacitetet menaxheriale dhe sipërmarrëse të studentëve në një kontekst global. Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë që UBT i jep inovacionit, ndërkombëtarizimit dhe ndërlidhjes me industrinë, si elemente kyçe për përgatitjen e kuadrove të ardhshme udhëheqëse.
U diskutua gjerësisht për mundësitë e bashkëpunimit në krijimin e programeve të përbashkëta, duke synuar rritjen e shkëmbimit të njohurive, përvojave akademike dhe shkencore, si dhe për zhvillimin e projekteve të përbashkëta hulumtuese dhe të financuara nga programet evropiane.