Rektori Hajrizi nderon me mirënjohje zëvendësministren e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Albana Tole

bool(false) 17/02/2022

Në ditën kur Kosova po feston 14-vjetorin e shtetësisë së saj, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi ka mirëpritur në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, zëvendësministren e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Albana Tole.

 

Në këtë takim, rektori Hajrizi e ka njoftuar zëvendësministren Tole, me punën e institucionit, si dhe angazhimin dhe kontributin e UBT-së në arenën ndërkombëtare duke sjellë në Kosovë inovacionet dhe teknologjitë më të fundit.

 

Zëvendësministrja e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, ka thënë se ndihet e lumtur që është në UBT, në një institucion dinamik siç potencoi ajo, që ka investuar në cilësi dhe iu ka ofruar studentëve një atmosferë pozitive për studimet akademike.

 

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka vlerësuar se bashkëpunimi me Shqipërinë dhe kontributi i përbashkët në përspektivën e të rinjve është shumë i rëndësishëm jo vetëm për rajonin por specifikisht për bashkëpunimin kombëtar.

 

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi ka nderuar me mirënjohje zëvendësministren e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Albana Tole, për kontributin dhe bashkëpunimin e mirëfilltë të ndërsjelltë në fushën e arsimit, shkencës e teknologjisë, në nxjerrjen e gjeneratave të reja të të rinjve profesionistë.

 

Ndër të tjera, rektori Hajrizi i ka prezantuar zëvendësministres Tole platformën e Realitetit Virtual, një super teknologji e cila ofron një qasje më ndryshe dhe më të lehtë për studimet akademike, e që në fakt është e ardhmja e teknologjisë dhe inovacionit.