Rektori Hajrizi mori pjesë në eventin e organizuar nga MINT në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë

19/11/2022

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi mori pjesë në një event të organizuar nga Ministria Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në Kosovë, ku u diskutua me ndërmarrës të suksesshëm në Kosovë rreth ndërrmarrësisë dhe qëndrueshmërisë ekonomike.

Në këtë takim, të organizuar në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, u diskutua rreth temës: “Ndërmarrësia dhe Rritja e Qëndrueshme Ekonomike”, duke u ritheksuar se sektori privat është kontribuues kryesor për rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Rektori Hajrizi në diskutim e sipër me ndërmarrës, ka shtjelluar rëndësinë e konceptit të ekosistemit si dhe efektin e madh që mund të krijojë ky ekosistem në shoqëri, duke marrë shembull të arriturat e UBT-së në sferën e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se fusha e ndërmarrësisë ka rëndësi të madhe dhe vendimtare për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit, duke vlerësuar se kontributi i ndërmarrësve krijon edhe vende pune dhe kushte për një shoqëri të lulëzuar dhe ekonomi të qëndrueshme në Kosovë.