Rektori Hajrizi mori pjesë në ceremoninë përshëndetëse për Ambasadorin e Italisë në Kosovë

19/04/2025

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në ceremoninë përshëndetëse për Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, ku ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të ambasadorit në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve dhe popujve të Kosovës dhe Italisë.

Rektori Hajrizi theksoi rolin e rëndësishëm të ambasadorit në ngritjen e bashkëpunimeve të shumta me universitetet italiane dhe qendrat e ekselencës në fushat e edukimit, shkencës dhe inovacionit. Ai përmendi se gjatë mandatit të ambasadorit De Riu, me mbështetjen dhe përkushtimin e tij, janë realizuar një sërë aktivitetesh të përbashkëta si konferenca, punëtori, marrëveshje bashkëpunimi, si dhe hapja e Qendrës Inovative Italiane në Kosovë dhe Qendrës së Gjuhës Italiane.

Në fjalimin e tij, Ambasadori De Riu vlerësoi bashkëpunimin me UBT-në si një nga sukseset e misionit të tij diplomatik, duke përmendur vendosjen e gjuhës italiane si gjuhë zyrtare në këtë universitet, si dhe krijimin e qendrës së parë për testimin dhe certifikimin e njohurive në gjuhën italiane, që funksionon në partneritet të ngushtë me UBT-në.