Rektori Hajrizi foli për rëndësinë e kërkimeve të përbashkëta shkencore para Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës 

28/02/2022

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me titull: “Shkencat kirurgjike të Kosovës – gjendja e tanishme dhe drejtimi tutje”, të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës.

 

Në cilësinë e panelistit, para një audience të zgjedhur të kirurgëve kosovarë dhe doktorëve të fushave të tjera, si dhe ministrit të Ministrisë së Shëndetësisë, Rifat Latifi, rektori Hajrizi foli për mundësitë që sektori privat ka për të ndihmuar universitetet publike të rindërtojnë kapacitetet hulumtuese.

 

Rektori Hajrzi foli për krijimin e një ekosistemi, me përfshirjen jo vetëm të universiteteve por edhe të industrisë dhe palëve të interesuara në kërkime të mirëfllita shkencore, gjë që sipas tij, sot nuk është e paarritshme as për vende të vogla si Kosova duke pasur parasysh se mund të disponojmë lehtë teknologjikë e fundit për secilën fushë, duke përmendur me këtë rast vendosjen e rrjetit 5G në Kosovë nga UBT, para shumë vendeve të rajonit.

 

Paneli i kësaj tryeze prezantoi vlerësime mbi produktivitetin e hulumtimit përgjatë dy dekadave të fundit dhe rrugën që na pret, ndërtimin e kapaciteteve hulumtuese dhe zbutjen e pabarazive në hulumtim, përdorimin e shkencave paraklinike për të ndihmuar rritjen e hulumtimeve prej klinicistëve, si dhe ndërtimin e kapaciteteve hulumtuese kosovare tek shkencëtaret femra përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.

 

Gjatë kësaj tryeze u prezantua edhe numri më i ri i revistës shkencore ‘Kosova Journal of Surgery’, me kryeredaktor prof. Rifat Latifi, aktualisht ministër i Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës.